Papa në audiencën e përgjithshme: forca e Zotit duket në ligështi.
Lutja “frymëmarrje e shpirtit”, është oazë e paqes, në të cilën mund të shuajmë etjen
me ujin, që ushqen jetën tonë shpirtërore duke e shndërruar atë ”. Kjo, figura, që
përdori sot paradite Benedikti XVI, gjatë audiencës së përgjithshme, mbajtur në Sallën
e Palit VI, në katekizmin kushtuar Letrës II të Shën Palit Apostull drejtuar Korintianëve.
Në lutje, nënvizoi Ati i Shenjtë, ia hapim shpirtin Zotit, që ai të vijë e të banojë
në ligështinë tonë, duke e shndërruar në forcë të pathyeshme të Ungjillit.
Shën
Pali, kujtoi Papa, përballë atyre, që i kundërviheshin apostullimit të tij, nuk nis
të numërojë bashkësitë, që themeloi; kilometrat, që përshkoi; mundimet, që pësoi.
Nuk kufizohet në kujtimin e vështirësive, e as të kundërshtimeve, që iu desh të përballojë,
për të kumtuar Ungjillin... “por flet për lidhjen e tij me Zotin, lidhje
aq e ngushtë, sa të krijojë çaste ekstaze, çaste kundrimi të thellë (cfr
2 Kor. 12.1); nuk krenohet, pra, për atë që bëri, për forcën e vet, për
veprimtaritë, sukseset, por krenohet për veprën, që bëri Zoti në të e përmes tij”. Takimi
i përditshëm me Zotin e pjesëmarrja e shpeshtë në sakramente, shtoi Ati i Shenjtë,
krijojnë kushtet për t’ia hapur mendjen e zemrën pranisë së Tij, fjalëve të Tij, veprimit
të Tij: “E Zoti na bën për vete, na ngjit në malin e shenjtërisë,
që të jemi gjithnjë më pranë tij, duke na dhuruar, gjatë shtegtimit, dritë e ngushëllim”. Zoti
e bëri për vete Shën Palin, e tërhoqi pas vetes plotësisht, që në çastin e shndërrimit
të tij në udhën e Damaskut, kur i Ngjalluri i dëftoi se forca duket plotësisht në
ligështi. E këtë Pali e provon në trupin e vet e na e dëshmon në çaste të ndryshme
të rrugës së tij shpirtërore, që u bënë pika të sakta referimi për çdo dishepull të
Krishtit: “Ai më tha: të mjafton hiri im; e njëmend, fuqia ime dëftohet plotësisht
në ligështí” (2 Kor 12,9). E akoma: “Hyji ka zgjedhur të ligshtit, për të përulur
të fortit” (1 Kor 1,28).Apostulli njëjtësohet deri në atë pikë me Krishtin,
sa edhe ai, ndonëse në mes të provave të shumta, jeton në fenë e Birit të Hyjit, që
e deshi e flijoi vetveten për mëkatet e tij e për ata të të gjithëve (cfr Gal 1,4;
2,20). Kjo e dhënë autobiografike e Apostullit, bëhet paradigmatike për ne të
gjithë. Kështu Shën Pali, shpjegoi Papa, nuk merret me ligështitë, persekutimet,
ankthet, të cilat i pranon për hir të Zotit, sepse në shpirtin e tij banon forca
e Krishtit: “... Sjellja e tij na lë të kuptojmë se çdo vështirësi në ndjekje
të Krishtit e në dëshmimin e Ungjillit, mund të kapërcehet, duke ia hapur me besim
zemrën veprimit të Zotit”. Shën Pali, plotësisht i vetëdijshëm se është
enë balte, të cilën Zoti e mbush plot me pasurinë dhe fuqinë e Hirit të Tij, e kupton
qartë si duhet ta përballojë e si duhet ta jetojë çdo ngjarje: “Në çastin
kur provon ligështinë e tij, duket edhe forca e Zotit, i cili nuk të braktis, nuk
të lë vetëm, por bëhet mbështetje e forcë. Kjo vlen edhe për ne. Zoti nuk të çliron
nga të këqijat, por të ndihmon të fitosh pjekurinë, përmes vuajtjesh, vështirësish,
persekutimesh. Feja na thotë se, po të mbetemi të lidhur me Zotin, edhe kur korpi
ynë nis e ligështohet, përballë vështirësive, shpirti rinohet, fiton pjekuri ditë
pas dite, e pikërisht, në prova”. Sa më shumë rritet bashkimi ynë me Zotin
e bëhet më e thellë lutja, aq më shumë kuptojmë se nuk është forca e mjeteve tona,
ajo që realizon Mbretërinë e Hyjit... : “...por është Zoti, që kryen mrekulli
pikërisht përmes ligështisë sonë, paaftësisë sonë për ta kryer detyrën. Duhet, prandaj,
të jemi të përvuajtur e të mos besojmë vetëm në vetveten, por të punojmë me ndihmën
e Zotit në vreshtin e Tij, duke ia besuar plotësisht vetveten, si enë të brishta balte.
Vetëm feja, besimi në veprimin e Hyjit, është garancia, që na bind se nuk jemi duke
punuar kot”. Në një botë, në të cilën rrezikohemi t’i besojmë vetëm forcës
dhe pushtetit të mjeteve njerëzore, duhet rizbuluar forca e lutjes. Kundrimi i Zotit,
pohoi Papa, është njëkohësisht mahnitës e i tmerrshëm: “Mahnitës, sepse Ai
na bën për vete, na i rrëmben zemrat lart, duke na çuar në lartësinë e veta, ku gjejmë
paqen e bukurinë e dashurisë së tij; i tmerrshëm, sepse e zhvesh
lakuriq ligështinë tonë njerëzore, paaftësinë tonë, mundimin për të fituar mbi Djallin,
që i ngre kurthe jetës sonë, mbi këtë ferrë të ngulur edhe në korpin tonë”. Citoi
Shën Palin, Papa, që na kujton se edhe ai e ka ‘një ferrë në trup’. Në Letrën e dytë
drejtuar Korintianëve, Pali shkruan: “Dhe, që të mos më rritet mendja për shkak të
lartësisë së zbulesave, m’u dha në trup një ferrë – engjëlli i djallit - për të më
rrahur, që të mos krenohem” …” (2 Kor 12,7). Për të kapërcyer çdo kundërshtim,
si Shën Pali, ka shumë rëndësi të besosh në besnikërinë e lidhjes me Zotin, sidomos
në situatat kur të duket se Ai hesht, se nuk është i pranishëm, se mungon e nuk na
përgjigjet. E kjo shihet qartë në figurën e brishtë të Nënë Terezës.
Në audiencën
e përgjithshme ishte i pranishëm edhe një delegacion i Komitetit “Gjuzepe Toniolo”
që i dorëzoi Papës reliket e të Lumit. Mesazhi i tij, pati thënë Ati i Shenjtë më
29 prillin e kaluar, ditë e lumnimit të Toniolos, është thellësisht aktual: “I Lumi
Toniolo na tregon rrugën, në të cilën prijnë njeriu dhe solidariteti”.