2012-06-13 18:08:36

Dhunë e vdekje në Siri. Imzot Zenari: “Ferr i vërtetë”


Janë rreth 30 vetë, të vrarët e orëve të fundit në Siri, si nga rebelët, ashtu edhe nga besnikët e presidentit Bashar Al Assad. Gjendja më dramatike, në Homs, ku 800 civilë, gjysma të krishterë e gjysma myslimanë, kanë mbetur të bllokuar në qendër, ndërsa përreth vazhdojnë ndeshjet me armë. Jo më larg se dje, OKB-ja e akuzoi Sirinë se përdor fëmijët si mburoje e, në raportin vjetor, flet për “luftë civile”. Të dëgjojmë nuncin apostolik në Damask, imzot Mario Zenari, i cili sqaron edhe gjendjen e të krishterëve:
Nuk dihet cila është e ardhmja e Sirisë, e etnive të ndryshme e, cila do të jetë e ardhmja e të krishterëve. Duhet të jemi shumë, shumë të kujdesshëm. Deri më sot, të krishterët kanë pasur të njëjtin fat me qytetarët e tjerë sirianë: bombardohen njëlloj si të tjerët, sidomos në Homs. Mendoj se nuk mund të flitet për diskriminime kundër tyre e, aq më pak për persekutime. Duhet të themi të vërtetën. Nuk do ta krahasoja gjendjen e të krishterëve në Siri me atë në vendet fqinjë. Nganjëherë, krahasohet me Irakun, por nuk është ashtu. Fatkeqësisht, përshtypja që kam në këtë çast, është se jetojmë në një ferr të vërtetë. Gjithsesi, jemi në dorën e Zotit e të Provanisë Hyjnore.







All the contents on this site are copyrighted ©.