Benedikti XVI përshëndet Kongresin Eukaristik të Dublinit
Në përfundim të audiencës së përgjithshme, Papa i drejtoi një përshëndetje Kishës
në Irlandë, mbledhur, që të dielën e kaluar, për Kongresin e 50-të Eukaristik Ndërkombëtar
me temë: “Eukaristia, bashkim me Zotin e bashkim ndërmjet nesh”. “I drejtoj përshëndetjen
time të përzemërt dhe bekimin tim Kishës në Irlandë, shkruan Benedikti XVI, për të
ripohuar se Eukaristia, Bashkimi me Krishtin, është ndërmjet nesh. Një mbledhje, ku
merr pjesë një numër i madh ipeshkvijsh, meshtarësh rregulltarësh e laikësh, ardhur
nga kontinente të ndryshme, është rast tejet i përshtatshëm për të ripohuar se Eukaristia
zë kryet e vendit në jetën e Kishës. Jezusi, vërtet i pranishëm në Sakramentin e elterit
me flijimin më të lartë të dashurisë së kryqit, na dhurohet ne, bëhet buka jonë, për
t’u shkrirë në Të, për të hyrë në bashkim me Të. E, përmes këtij bashkimi, bashkohemi
edhe ndërmjet nesh, bëhemi një gjë e vetme në Të, gjymtyrë të njëri-tjetrit. Në
përfundim Papa i fton gjithë besimtarët të bashkohen shpirtërisht me të krishterët
e Irlandës e të botës, duke u lutur për punimet e Kongresit, që Eukaristia të jetë
gjithnjë zemër, e cila rreh për jetën e Kishës. Në mikrofonin tonë, e dërguara
e Radio Vatikanit në Irlandë, Emer McKarti, flet për atmosferën, që u krijua,
kur në Kongres u bë e njohur fjala e Papës:
Përgjigje: - Fjalët
e Papës u përhapën në 12.00 me orën irlandeze, 13, me atë italiane, gjatë një takimi
në sallën e shtypit, këtu, në Dublin. Menjëherë pas, duke folur me shtegtarët, në
sa përhapej mesazhi papnor, besimtarët nisën të shprehin mirënjohjen për këtë pjesëmarrje
të Atit të Shenjtë. Pjesëmarrje, që shkaktoi emocione të forta, si për fjalët e Papës,
ashtu edhe për bashkimin e mbarë Kishës universale në këtë ngjarje të madhe, që po
ndjehet gjithnjë më shumë në vend. E tregon fakti se në Irlandë vijojnë të vijnë shtegtarë
nga mbarë vendi.