2012-06-12 16:06:15

Papa hapi Simpoziumin kishtar dioqezan të Romës, e foli mbi Pagëzimin si zgjedhje ndërmjet gënjeshtrës e së vërtetës.


Tridhjetë minuta për një Lectio divina të profilit të lartë teologjik: ky është fjalimi që Papa propozoi të hënën në mbrëmje, më 11 qershor, në bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, me rastin e përurimit të simpoziumit kishtar të dioqezës së Romës. Ati i Shenjtë Ratcinger i ftoi të pranishmit të reflektojnë mbi domethënien e sakramentit të Pagëzimit – “hap i parë i Ringjalljes” – duke nënvizuar aktualitetin, e në përcaktimin e synimit pohoi se “pagëzimi nuk është akt i një ore, por realitet i tërë jetës sonë”. “Shkoni, e bëni dishepujt të gjithë popujt dhe pagëzojini në emër të Atit, të Birit e të Shpirtit të Shenjtë” (krh Mt 28,19). Pikërisht nga këto fjalë të Ungjillit të Mateut është marrë tema e Simpoziumit kishtar të dioqezës së Romës, të cilin Papa Benedikti XVI e përuroi dje në mbrëmje në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran. Ati i Shenjtë Jozef Ratcinger foli për Pagëzimin, si dhuratë e Zotit, që na bën vëllezër, si hap i parë drejt Shëlbimit. Vetë Jezusi pagëzoi “në emër të Atit, të Birit e të Shpirtit Shenjt”, prandaj, sqaroi Papa, Sakramenti i Pagëzimit na zhyt në hyjninë e Trinisë Shenjte; Zoti bëhet emri ynë e ne dëshmitarët e Tij. Pra, pagëzimi na bashkon me Hyjin në një jetë të re:
“Pagëzimi nuk është kurrë një akt i vetmuar, për “mua”, por është gjithnjë, domosdoshmërisht, bashkim me gjithë të tjerët, bashkim e solidaritet me krejt Korpin e Krishtit”.
Edhe riti sakramentor, vazhdoi Benedikti XVI, na ndihmon të kuptojmë ç’është Pagëzimi. Dy elementet e tij janë fjala e uji. Uji është simbol i jetës së re në Krishtin, por edhe i vdekjes, përmes së cilës arrihet në Ringjallje, e cila është, edhe ajo, jetë e re. E pastaj, fjalët e ritit të Pagëzimit, që shndërrojnë jetën:
“Në to realizohet vendimi, në këto fjalë gjendet krejt udha jonë e Pagëzimit, si para, ashtu edhe pas Pagëzimit. Prandaj, me këto fjalë e me simbolet e tij, Pagëzimi shtrihet gjatë gjithë jetës sonë”.
Papa u ndal në veçanti, mbi tri mohimet, që bëjnë pjesë në ritin e Pagëzimit: kur i biem mohit tundimeve të së keqes, shpjegoi Ati i Shenjtë, do të thotë se heqim dorë edhe sot e gjatë gjithë jetës, nga një mënyrë mendimi e veprimi, për të cilën nuk ka rëndësi e vërteta, por vetëm dukja, efekti, sensacioni. Në fakt, me pretekstin e së vërtetës, rrënohen njerëz:
“Një kulturë, që nuk e kërkon të mirën, në të cilën moralizmi është një maskë, që në të vërtetë, ngatërron, krijon konfuzion e shkatërrim. E kundër kësaj kulture, në të cilën gënjeshtra paraqitet me veshjen e së vërtetës e të informacionit, kundër kësaj kulture, që kërkon vetëm mirëqënien materiale e mohon Zotin, themi ‘i biem mohit’”.
Të heqim dorë nga mëkati për të jetuar lirinë e bijve të Zotit, do të thotë të kuptojmë se mëkati nuk është fjalë e kotë e se liria nuk është larg fesë, siç mendohet sot, apo larg Zotit. Zoti lejoi vdekjen e Birit të tij të vetëm për shlyerjen e mëkateve tona, prandaj jeta në mëkat është kundër lirisë sonë. E së fundi, Papa përmendi mohimin e tretë të ritit të Pagëzimit, kur i biem mohit djallit të mallkuar. Kjo ka kuptimin e “po”-së për Zotin e të “jo”-së për të keqin, që dëshiron të bëhet Zot në këtë botë, shpjegoi Benedikti XVI.
Riti i Pagëzimit shoqërohet edhe nga besojma e fesë. Nuk është thjesht formulë, tha Papa, por është dialog me Hyjin, është veprimi i Zotit në bashkim me ne. Vetëm nëse e pranojmë Krishtin, arrijmë të vihemi për udhë me Të e të kuptojmë të vërtetat e Tij. Në fund, Ati i Shenjtë reflektoi mbi Pagëzimin e fëmijëve, në vazhdën e pyetjeve, që ngrenë ata, të cilët mendojnë se nuk është e drejtë të pagëzohen fëmijët që në moshë të njomë, pasi nuk kanë mundësi të vendosin vetë. Benedikti XVI këshilloi që pagëzimi i fëmijëve të bëhet pasi prindërit të kenë ndjekur katekizmin e Kishës Katolike e të jenë thelluar në të. Por, sqaroi Papa, në thelb, Pagëzimi është jetë e re, justifikim i vetë ekzistencës, e cila na dhurohet pa na pyetur më parë.







All the contents on this site are copyrighted ©.