2012-06-12 14:00:17

Opera "SKËNDËRBEU" e Prenk Jakovës në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë


Opera "Skëndërbeu", e kompozitorit Prenk Jakova, e konsideruar si një nga veprat më të arrira muzikore me karakter kombëtar, rikthehet në kalendarin e festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë në një megaproduksion të Teatrit Kombëtar të Operas e Baletit, duke ofruar rileximin e viteve 1400.
Kështu e ka cilësuar drejtori i Teatrit Kombëtar të Opera dhe Baletit, Zhani Ciko operën e kompozitorit Prenk Jakova që do të shfaqet premirë në datën 18 qershor nën regjinë e italianit Carlo Saleti.
Mjeshtri koncertues i operës me dy akte është shprehur për mediat se vepra do t'i qëndrojë besnike kohës. "Prenka i ka kushtuar shumë vëmendje emocioneve, karaktereve të personazheve dhe kjo vepër do t'i qëndrojë besnike kohës", tha Ciko.
Artistët e TKOB-së janë të gjithë të angazhuar për operën "Skënderbeu" e konsideruar si një nga veprat më të vështira të repertorit shqiptar. Në vepër interpretojnë më shumë se 20 solistë, ndërkohë që regjisori Italian Carlo Saletti do të sjellë një shfaqje ku Skënderbeu vjen sa një figurë njerëzor, por pa humbur edhe dimensionin e tij mitik.
Në veprën me muzikë të Jakovës dhe libret të Llazar Siliqit, protagonist do të jetë tenori amerikan Roy Stevens që do të vesh petkun e Heroit tonë Kombëtar, Skëndërbeut. Kjo është hera e parë që një tenor i huaj interpreton në një vepër shqiptare. Stevens rikthehet në Shqipëri pas interpetimit të tij në operën "Salome" në vitin 2009.
"Kam interpretuar në shumë gjuhë të botës dhe është interesante që këtë rol do ta sjell në gjuhën shqipe. Po më ndihmojnë shumë në punën time me gjuhën edhe kolegu im Erlind Zeraliu", është shprehur tenori amerikan.
Skënderbeu do të interpretohet nga Roy Stevens dhe Erlind Zeraliu, Mamica do të interpretohet nga Manjola Konjari, Irida Dragoti dhe Ivana Hoxha, Donika nga Irini Nikolla, Emiljana Palushaj, Dëshira Ahmeti dhe Shpresa Beka, ndërsa në role të tjera do të jenë: Riad Ymeri, Sidrit Bejleri, Armando Kllogjeri, Armando Likaj, etj.
Ngjarjet zhvillohen në vjeshtën e vitit 1443, me një kryengritje fshatarësh të revoltuar nga pushtuesit osmanë. Gjergj Kastriot Skënderbeu u bën thirrje arbërve të bashkohen për të çliruar Krujën. Në aktin e dytë, ku ngjarjet ndodhin në pranverë-verë të vitit 1444, ka vend për pak lirizëm femëror, që vjen përmes takimit të Mamicës dhe Donikës. Në qendër është Skënderbeu i ri, që zgjon shpresat për liri në të ardhmen, ndërkohë që fundi i jetës së tij nuk tregohet.
Skenografia e realizuar nga Platon Bardhi dhe kostumet nga Edlira Qyshka do ta rikthejnë publikun në vitete '400 kur edhe zhvillohen ngjarjet. Ndërkohë që Skënderbeu pritet të jetë në skenë mbi një kalë të vërtetë.
Opera do të shfaqet për publikun në datat 18, 19, 21 dhe 22 qershor duke e kthyer Heroin Kombëtar 44 vjet pas premierës së vitit 1968. Tenori i njohur shqiptar Xhoni Athanas luajti atëherë rolin e Skënderbeut duke interpretuar arien e njohur "Lirinë s'ua solla unë". Kurse ne rolet e tjera luajtën Nina Mula, Kristaq Paspali, Ramiz Kovaci, Gaqo Cako, Hysen Kurti etj.
(nga ATSH-ja)







All the contents on this site are copyrighted ©.