2012-06-12 18:14:11

Komunikatë për integrimin e shërbimit të VIS (Vatican Information Service) me portalin news.va e me Buletinin e Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë


Në vazhdën e ndryshimeve në fushën e komunikimeve shoqërore të Selisë së Shenjtë, Salla e Shtypit e Vatikanit njofton se Shërbimi Informativ i Vatikanit, i njohur me siglën VIS, nuk do të ekzistojë më si zyrë më vete, duke filluar nga 31 korriku i këtij viti. Gjithsesi, të abonuarit në këtë shërbim do të vazhdojnë të marrin informacione të shumta lidhur me Selinë e Shenjtë.
“Në kuadrin e zhvillimit e të koordinimit të veprimtarive të komunikimit shoqëror të Selisë së Shenjtë – shkruhet në komunikatë – pas orientimeve të Sekretarisë së Shtetit, personeli i VIS destinohet, pjesërisht për përforcimin e portalit shumëgjuhësh “news.va”, i krijuar para një viti, në kuadrin e Këshillit Papnor të Komunikimeve Shoqërore, e pjesërisht për publikimin në shumë gjuhë të Buletinit të Sallës së Shtypit.
Siç dihet, portali news.va mbledh rregullisht e i paraqet në formë të thjeshtë, lajmet kryesore të aktualitetit të Selisë së Shenjtë e të jetës së Kishës, që publikohen çdo ditë nga Salla e Shtypit, nga “L’Osservatore Romano”, Radio Vatikani, Agjensia Fides, të pasuruara me video nga Qendra Televizive e Vatikanit e me fotografitë e shërbimit fotografik të “L’Osservatore Romano”. Ai funksionon përditë në italisht, anglisht, spanjisht e frëngjisht. Një nga karakteristikat e tij ka të bëjë me strukturimin në mënyrë të tillë, që të ofrojë lehtë mundësinë për t’i bashkëndarë materialet e tij në rrjetet shoqërore të internetit (si Facebook e Twitter) si edhe në platforma të ndryshme celulari, përmes aplikimeve të reja.
Buletini i Sallës së Shtypit është publikuar deri tani, kryesisht në gjuhën italiane, përveç rastit kur ekzistojnë tekste origjinale në gjuhë të tjera, ndërsa VIS ka punuar rregullisht në katër gjuhë. Hyrja e një pjese të personelit të VIS (anglisht, frëngjisht e spanjisht folës) në punën e zakonshme të Sallës së Shtypit do të mundësojë risimin e publikimit në rrjet të Buletinit, i cili do të përfshijë përkthimet e plota të teksteve të ndryshme e, edhe sintezën e atyre teksteve, për të cilat nuk është e mundur të jepet përkthimi i plotë. Kjo do të bëhet gradualisht, duke filluar nga shtatori 2012.
Pjesët e përkthyera të Buletinit, së bashku me përmbledhjet në gjuhë të ndryshme nga italishtja, do të vazhdojnë të dërgohen në adresën e rreth 60 mijë të abonuarve në VIS, të cilët nuk do ta humbasin shërbimin, që e kanë vlerësuar prej kohësh. Edhe arkivi i pasur prej 85 mijë lajmesh në gjuhë të ndryshme, realizuar në rreth 20 vjet nga VIS, i pajisur me një sistem kërkimi të thjeshtë e të shpejtë, do të ruhet e do të integrohet me faqen e internetit të Sallës së Shtypit të Vatikanit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.