2012-06-12 16:06:43

Atë Federiko Lombardi: Etapë e re në historinë e Radio Vatikanit. Nga Valët e Shkurtra në strategjitë e reja të komunikimit


Pasi kremtoi 80-vjetorin (programi shqip 60-vjetorin), vitin e kaluar, Radio Vatikani është gati për të përballuar një etapë të re në historinë e saj, duke ia besuar gjithnjë e më tepër mesazhin e vet në shërbim të Ungjillit e të Kishës, teknologjive të reja të komunikimit. Me një komunikatë për shtyp, drejtori i përgjithshëm i Radio Vatikanit, atë Federiko Lombardi, shpjegon ndryshimet epokale në radion e Papës.
Programet radiofonike në rreth 40 gjuhë – që mund të dëgjohen përmes satelitit e përmes internetit – rintrasmetohen sot nga mëse njëmijë radio lokale e rajonale në FM dhe në valë të mesme OM, në rreth 80 vende në të pesë kontinentet.
Ato mund të ndiqen drejtpërdrejt në pesë kanale interneti dhe “on demand” e “podcast” nga çdo pikë e globit, ku ekziston mundësia për t’u lidhur me faqen e Radio Vatikanit .
Edhe lajmet e tekstet e publikuara me shkrim në 40 gjuhë, në 13 alfabete të ndryshme, në këtë faqe interneti, janë burim informacioni të pasur, dhe shërbimi RSS e buletinet u dërgohen përditë të abonuarve në gjuhë të ndryshme (jo vetëm evropiane, por edhe, për shembull, kineze, hindi, tamil…)
Bashkëpunimi i ngushtë me Qendrën Televizive të Vatikanit ka mundësuar edhe një shërbim shumë të pasur video në rrjet, si edhe mjetin e ri “Vatican player”, i cili ofron jo vetëm imazhe dhe tinguj nga aktiviteti i Papës, si drejtpërdrejt, ashtu edhe “on demand”, por i lidh ato me veprimtarinë e Papës, duke përfshirë tekstet dhe shërbimet gazetareske përkatëse. Përmes “Vatican Player”, faqet e internetit të gjithë botës mund të marrin e të ripublikojnë sistematikisht imazhe, zë e tekste të Papës e të Selisë së Shenjtë.
Kanali radiofonik “Radio Vatikani drejtpërdrejt”, 24 orësh, ndiqet tashmë mjaft mirë në valët FM në Romë e në formatin dixhital DAB e DAB+ në një pjesë të mirë të territorit italian, duke mundësuar një dialog gjithnjë e më intensiv me jetën e kulturën italiane e me atë të Kishës në Itali.
Duke marrë parasysh mundësitë e mëdha, që jep shërbimi i rintransmetimit përmes radiove lokale, rajonale, kombëtare e përmes internetit e disa kanaleve satelitare, Radio Vatikani mendon se ka ardhur koha për ta reduktuar impenjimin e transmetimeve me tekonologjitë tradicionale të Valëve të Shkurtra e të Valëve të Mesme, duke investuar ekonomikisht në drejtime të tjera.
Prandaj, duke filluar nga 1 korriku i ardhshëm, nga Qendra Transmetuese e Shën Marisë së Galeries, do të ndërpriten të gjitha transmetimet në Valë të Mesme e në Valë të Shkurtra drejt pjesës më të madhe të Evropës e drejt Amerikës, të cilat janë rajonet botërore, ku ritransmetimet përmes radiove e qasja në internet janë rrugët më të rëndësishme për t’u njohur me shërbimet e Radio Vatikanit.
Reduktimi aktual intereson rreth gjysmën e kohës së transmetimit të Qendrës së Shën Marisë së Galeries, ku po fillon studimi për ristrukturimin e vetë Qendrës, në funksion të teknologjive të reja të komunikimit. Gjatë viteve të ardhshme, parashikohen reduktime të mëtejshme të Valëve të Shkurtra, duke pasur gjithnjë parasysh detyrën për t’u shërbyer me vëmendje të veçantë, zonave e popullsive më të varfëra, ose në vështirësi (sidomos në Afrikë, në Lindjen e Mesme ose në Azi), të cilat nuk kanë rrugë tjetër për të dëgjuar zërin e Papës e të Kishës.
Ashtu si ne, edhe programet e tjera të Radio Vatikanit, po informojnë dëgjuesit për situatën e re. Pra, që nga 1 korriku, mund të na ndiqni përmes internetit në faqen , duke klikuar në gjuhën shqipe. Për rrugët e tjera, përmes të cilave mund të ndiqni programin e gjuhës shqipe, do t’ju njoftojmë këto ditë.
Transmetimet ndërkombëtare në Valë të Shkurtra e në Valë të Mesme të Radio Vatikanit kanë kryer një shërbim me vlerë të pallogaritshme në historinë e Kishës – sidomos në Evropë – gjatë shekullit XX, në mbështetje të popullsive të shtypura nga lufta e nga totalitarizmi. Ndërsa ky shërbim përfundon për t’u lënë vendin teknologjive të reja të komunikimit, e ndjejmë për detyrë të shprehim mirënjohjen për ata, që kanë punuar me forcë e zemër, me inteligjencë e bujari të madhe, për të mirën e shumë personave.







All the contents on this site are copyrighted ©.