Në mesazhin për Kampionatin Evropian të Futbollit, Papa fton të kapërcehet individualizmi
dhe egoizmi
Në Varshavë të Polonisë, filloi të premten, Kampionati Evropian e Futbollit, një nga
ngjarjet më të mëdha sportive, që ndiqet nga mijëra vetë. Shqiptarët, kudo që ndodhen,
janë ulur para ekraneve të televizorëve për të parë skuadrën e zemrës. Edhe Papa Benedikti
XVI nuk mbeti indiferent para kësaj gare, e cila kur zhvillohet pastër e ndershmërisht,
sjell vlera të vërteta për shoqërinë. Ati i Shenjtë u drejtoi të gjithë pjesëmarrësve
një mesazh, që u bë i njohur të enjten, ku thekson se sporti ndihmon në kapërcimin
e individualizmit e të egoizmit. Papa shpreh mirënjohjen për takimet katekistike,
liturgjike e për lutjet, që do të organizohen, sidomos në Poloni, pa harruar se kësaj
radhe, kampionati do të zhvillohet edhe në Ukrainë. Duke përmendur dashurinë e të
Lumit Gjon Pali II për sportin në përgjithësi, Benedikti XVI shkruan: “Sporti i skuadrës,
siç është futbolli, është shkollë e rëndësishme për të edukuar ndjenjën e respektit
për tjetrin, edhe për kundërshtarin sportiv, për të edukuar shpirtin e sakrificës
për të mirën e grupit, vlerësimin e dhantive të çdo elementi që formon skuadrën; me
një fjalë, kapërcehet llogjika e individualizmit dhe e egoizmit, që shpesh karakterizon
marrëdhëniet njerëzore, për t’i lënë vend llogjikës së vëllazërimit e të dashurisë,
e vetmja, që mund të promovojë vërtet të mirën e përbashkët, në të gjitha nivelet”.