2012-06-11 08:58:27

Në Dublin, Kongresi Eukaristik Ndërkombëtar, me temë “Eukaristia: Bashkim me Krishtin e bashkim ndërmjet nesh”.


Filloi në Dublin të Irlandës, Kongresi i 50-të Eukaristik Ndërkombëtar me temë “Eukaristia: Bashkim me Krishtin e bashkim ndërmjet nesh”. I dëguari i Papës është kardinali Mark Uilet, Prefekt i Kongregatës për Ipeshkvijtë, i cili i njohu pjesëmarrësit në këtë takim të rëndësishëm, që do të përfundojë më 17 qershor, me mesazhin e Benediktit XVI. Kujtojmë se këto kongrese filluan pikërisht në Irlandë, në vitin 1932 e kthehen sërish në Dublin, pas etapës së fundit në Kebek të Kandasë, në vitin 2008. Takimi u parapri nga një Simpozium teologjik ndërkombëtar, në Mejnuth të Irlandës, kushtuar 50-vjetorit të Koncilit II të Vatikanit. Kardinali Uilet, i cili kremtoi sot Meshën e hapjes së Kongresit në Dublin, shprehu para nisjes, mendimin e tij për rëndësinë e këtij çasti, sidomos për Kishën irlandeze:RealAudioMP3
Mendoj se shpresa e parë për Kongresin Eukaristik është që ai të përforcojë lidhjet me Kishën, fenë dhe dashurinë. Dhjetëvjeçari i fundit ka qenë shumë i vështirë, me tragjedinë e abuzimeve seksuale, krizën shoqërore dhe ekonomike… ndjehet nevoja për pajtim e falje dhe për dialog të ri ndërmjet njerëzve në Irlandë, ndërmjet ipeshkvijve dhe laikëve, ndërmjet meshtarëve dhe besimtarëve. Duhet t’i lemë pas kohët e vështira – jo t’i harrojmë, por t’i mbajmë mend për të mos i përsëritur – dhe t’i kërkojmë Zotit që, me mëshirën e tij të pakufshme, të na përtërijë shpirtin.
Katër vjet më parë, si kryeipeshkëv i Kebekut, ju ishit protagonist i Kongresit të 49-të Eukaristik Ndërkombëtar. Atëherë, e përshkruat si “çast kthese” për jetën e Kishës në Kanada. A mendoni se do të ndodhë kështu, edhe kësaj radhe?
Kisha në Kebek kishte hyrë në udhën e shekullarizimit prej dekadash. Kishte nevojë për një lloj Hiri shprese e përtëritjeje dhe Kongresi Eukaristik solli më tepër bashkim, më tepër bashkëpunim brenda Kishës, gjë që kontribui në shtimin e thirrjeve dhe në forcimin e lidhjeve me Kishën universale. Konkretisht, na u desh të ngrinim dy seminare për thirrjet meshtarake, ku vijnë persona nga e gjithë Kanadaja. Këto ishin frytet e Kongresit Eukaristik, i cili ka qenë dëshmi profetike e Kishës në botë për më shumë se një shekull. Gjithashtu, ai ka marrë tipare të reja pas Koncilit II të Vatikanit, duke forcuar lidhjen ndërmjet kremtimit të Eukaristisë dhe Kishës si bashkim, si vëllazërim.
Cilat janë zhvillimet e reja pas Koncilit II të Vatikanit?
Një nga këto zhvillime, mendoj se përmbahet në mesazhin e “Familiaris Consortio” të vitit 1981 dhe ka të bëjë me ndërgjegjësimin e Kishës për rolin e familjes, vend ku përçohet feja, ku njerëzit luten së bashku. Gjithashtu, Koncili i dha rëndësi përjetimit të Eukaristisë Shenjte në famulli e sidomos vuri theksin mbi Sakramentin e Martesës, si lidhje ndërmjet një burri e një gruaje, shuguruar e shenjtëruar nga dhurata e Shpirtit Shenjt, që e shndërron çiftin jo vetëm në qelizën bazë të shoqërisë, por edhe në qelizën bazë të Kishës. Natyrisht, mbeten aspekte të tjera për t’u diskutuar, si për shembull, në kuadrin e marrëdhënieve ekumenike. Duhet të reflektojmë mbi pagëzimin, me bashkësitë e tjera të krishtera të Reformës, mbi ekleziologjinë eukaristike me ortodoksët etj.. Gjithashtu, duhet të flasim edhe si ta mishërojmë së bashku dhuratën e Zotit, që është dhuratë e Trinisë së Shenjtë për njerëzimin, përmes Kishës. Nuk duhet ta harrojmë kurrë këtë mister. Kisha nuk është shoqëri si gjithë të tjerat. Është misteri i Bashkimit Hyjnor të Atit, Birit e Shpirtit Shenjt, i cili ndahet me ne përmes fesë, pagëzimit dhe sakramenteve.







All the contents on this site are copyrighted ©.