2012-06-11 19:54:10

Nigeri: Boko Haram sulmon 2 kisha. Kryeipeshkvi i Zhos: “të arrestohen autorët”.


Sulm i ri kundër të krishterëve të Nigerisë. Dy kisha u rrënuan nga tërbimi vrasës i fanatikëve islamikë të Boko Haram, që e pranuan autorësinë e atentateve në veri të vendit. 4, të vdekurit e dhjetra, të plagosurit. Italia pohon se do të impenjohet fuqimisht në selitë ndërkombëtare, për të mbrojtur lirinë e fesë dhe për të përballuar sfidën e terrorizmit.
Ndërkaq Nigeria vijon të zhytet në tmerrin e sulmeve kundër të krishterëve. Një autobombë në qytetin e Xhos-it, Shteti i Plato dhe një grup i armatosur në Biu, të Bornos, sulmuan dy kisha përplot me besimtarë, që merrnin pjesë në kremtimin e Meshës të së dielës. Terroristët u larguan, duke lënë pas 4 të vdekur e 40 të plagosur, në gjendje shumë të rëndë. Përsëri masakër, përsëri gjak, përsëri krim, me autorë, fanatikët e Boko Haram, që e pranuan autorësinë e këtij tmerri të ri, i cili u shtohet sa e sa të tjerëve, kryer në një vend të shenjtë, në emër të Zotit. 18 muaj atentate kamikaze, sulme të armatosura, Kisha në flakë, e mbi të gjitha, 300 të vdekur edhe pas ndeshjeve ndërmjet të krishterëve e myslimanëve. Nga të katër anët flitet për manipulim politik të Boko Haram, bëhen thirrje për qetësi. E ndërkaq grupi fondamentalist e kupton këtë si mundësi për të vrarë qetësisht në Veri të vendit e për t’i forcuar më tej pozitat e veta, pavarësisht nga rrethimet, për të cilat flasin autoritetet nigeriane.
Në këtë kuadër, bashkësia ndërkombëtare shpreh shqetësimin e vet të thellë e nga italianët vjen premtimi se do të impenjohen plotësisht, në selitë botërore, posaçërisht në Evropë, për të mbrojtur lirinë e fesë e për të përballuar sfidën e terrorizmit.
Duhet bërë më shumë, për t’i kapur autorët e këtyre krimeve të shëmtuara, bën thirrje, në mikrofonin e Radio Vatikanit, kryeipeshkvi i Xhos, njëri nga dy qytetet nigeriane, mbytur në gjak nga dhuna e Boko Haram. Ta dëgjojmë imzotin Ignatius Kaigama:

Përgjigje: - Shqetësimi është ende i madh, nga që kur mendohet se situata u qetësua, ndodh diçka edhe më e tmerrshme. Autoritetet civile pohojnë se problemet do të zgjidhen së shpejti, në sa shpejt e shpejt vijojnë vetëm të përsëriten.

Pyetje: - Ç’mesazh dëshironi t’i përcillni bashkësisë suaj në këtë rrethanë?

Përgjigje: - Javën e kaluar organizuam një lutje kombëtare për të gjithë katolikët e Nigerisë. Ne mendojmë se gjëja më e fortë tani, është lutja. Kemi agjenci të sigurimit, por, sipas meje, bëjnë pak e aspak. Agjencitë e sigurimit duhet të zbulojnë kush janë këta njerëz, nga vijnë, ku i gjejnë paratë, makinat e bombat, që përdorin. Po deri më sot nuk shihet asnjë progres....

Pyetje: - A ka rrezik që besimtarët të kenë frikë për të ardhur në Kishë?


Përgjigje: - Është normale që njerëzit të kenë frikë, me që armiqësia kundër Kishës vijon. E kjo, sepse Kisha shikohet si simbol i kulturës perëndimore. E, Boko Haram lufton për ta zhdukur kulturën dhe edukimin perëndimor. Sipas fanatikëve, vlerat perëndimore nuk mund t’i ndihmojnë myslimanët të jetojnë si myslimanë të mirë.







All the contents on this site are copyrighted ©.