2012-06-11 17:52:43

Filloi, me takime e dëshmi, Kongresi i 50-të Eukaristik, në Dublin


“Eukaristia, bashkim me Krishtin e bashkim ndërmjet nesh”; me këtë frymë nisi, në Dublin të Irlandës, Kongresi i 50-të Eukaristik Ndërkombëtar, që do të vijojë deri të dielën e ardhshme. Me ndihmën e dy mijë vullnetarëve, në Arenën e Royal Dublin Society (Rojel Dablin Sosaiti), mijëra shtegtarë, ardhur nga 120 vende të ndryshme të botës, nga Shqipëria, në Zimbabve, kremtojnë Eukaristinë, luten së bashku, marrin pjesë në konferencat e përgjithshme, mbajtur nga 18 oratorë ndërkombëtarë, dëgjojnë e japin dhjetra dëshmi, takohen në njërin nga 150 laboratorët, ku ballafaqohen grupet e ndryshme.
Pak orë më parë, kryeipeshkvi i Dublinit, imzot Diarmuid Martin, përfundoi konferencën e shtypit, për të cilën na flet e dërguara e Radio Vatikanit, Emer Mc-Charty, nga Dublini:

Përgjigje: - Kryeipeshkvi Martin shprehu kënaqësinë e tij për këtë fillesë; dita e parë, e hëne, ishte plot e përplot me njerëz. Nuk priteshin kaq shumë. Madje jo të gjithë ata, që dëshironin t’i ndiqnin dëshmitë, mundën të hyjnë në sallë, sepse nuk kishte më vend. E kjo flet për interesimin e madh, me të cilin po ndiqet Kongresi.

Pyetje: - Ç’mund të na thoni për temën e sotme, ekumenizmin?

Përgjigje: - Vërtet, fjalimet e sotme u përqendruan mbi temën e bashkimit në Pagëzim të të gjithë të krishterëve, e jo vetëm katolikëve. Sot, Kongresi i 50-të Ndërkombëtar ua hapi portat të gjitha Kishave të pranishme në Irlandë, të cilat kanë këtu edhe përfaqësuesit e tyre. Kujtoj se sot paradite ishte kryeipeshkvi anglikan i Dublinit, Majkëll Xhekson, ai që kryesoi Liturgjinë e Fjalës, nën shenjën e ekumenizmit. Në Irlandë, ku në të kaluarën marrëdhëniet ndërmjet kishave të ndryshme nuk kanë qenë edhe aq të lehta, kjo temë ngjall shumë interes.

Kremtohet Kongresi i 50-të Eukaristik, e pikërisht 50 vjet pas hapjes së Koncilit II të Vatikanit: Atë Vitor Bokardi, i sekretarisë së Komitetit Papnor për Kongreset Eukaristike Ndërkombëtare, na e shpjegon këtë lidhje të ngushtë:
Përgjigje: - Ekleziologjia eukaristike e bashkimit është filli i kuq, që përshkon të gjitha punimet e Koncilit II Ekumenik e që, duke u nisur nga vetë Koncili, hyri, pastaj, si ide e përgjithshme në jetën e Kishës. Nuk është gjë tjetër, veçse përpjekje për të kuptuar se Kisha ndërtohet, duke u nisur nga Kremtimi i Eukaristisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.