2012-06-11 14:50:02

Ati i Shenjtë, kapelanëve të aviacionit civil: në aeroporte, të lulëzojë fara e Ungjillit


Aeroportet pasqyrojnë gjithnjë e më shumë realitetin e globalizuar bashkohor, prandaj, në hapësirat e tyre, përqendrohen ankthet e vështirësitë e kohës sonë. Në një audiencë tjetër, me pjesëmarrësit e seminarit XVI ndërkombëtar të kapelanëve katolikë të aviacionit civil, Papa vuri në dukje se në aeroport mund të takohen njerëz me kombësi, kulturë, fe e, edhe me probleme të ndryshme, të cilëve u duhet çuar Fjala e Zotit:
“Mendoj, për shembull, për ata, që presin me ankth në përpjekjen për të kaluar pa dokumentet e nevojshme, si emigrantë, ose si refugjatë; mendoj për problemet e shkaktuara nga masat kundër terrorizmit. E pastaj, edhe në bashkësitë aeroportuale pasqyrohet kriza e fesë, e cila prek shumë njerëz: përmbajtja e doktrinës së krishterë e vlerat, që mëson ajo, nuk konsiderohen më pika referimi as në vendet me traditë të gjatë kishtare”.
Në këtë situatë, kapelanët e aviacionit civil duhet ta kumtojnë Ungjillin me shembull e me dëshmi, të vetëdijshëm se…
“…pavarësisht nga rastësia e takimeve, njerëzit dinë ta njohin njeriun e Zotit. Shpesh, edhe fara e vogël, e hedhur në tokë pjellore, mund të lulëzojë e të japë fryte të begata”.
Lëvizja e vazhdueshme dhe teknologjia, që mbizotëron në aeroport, mund ta zvogëlojë rëndësinë e njeriut, ta bëjë atë gati të padukshëm, tha Papa:
“Shpesh, u kushtohet vëmendje më e madhe efikasitetit e prodhimtarisë, në dëm të dashurisë për të afërmin e në dëm të solidaritetit, që duhet të karakterizojë gjithmonë marrëdhëniet njerëzore. Edhe këtu, prania juaj është e rëndësishme dhe e çmuar: është dëshmi e gjallë në Zotin, i cili i qëndron pranë njeriut; është thirrje për të mos qenë kurrë indiferentë me kë takojmë, por për ta trajtuar me mirësjellje e dashuri”.
Në këtë kuadër, marrin rëndësi të veçantë kapelat e aeroporteve, vende heshtjeje e përtëritjeje shpirtërore. Shembulli për këtë lloj shërbimi, nënvizoi Papa, është e Shenjtnueshmja Virgjëra Mari, e nderuar si Zoja e Loretos, Pajtore e të gjithë udhëtarëve, për të kujtuar traditën e mbartjes së mrekullueshme të Shtëpisë së Marisë nga Nazareti në Loreto. E Maria nuk mund të mos na çojë drejt Birit Hyjnor, drejt Krishtit. Ky është misioni i Kishës, përfundoi Benedikti XVI: të kumtojë Jezu Krishtin, Shëlbuesin e vetëm e të përtërijë veprën e ungjillëzimit të botës, ku globalizimi i ka bërë më të afërt njerëzit e popujt.







All the contents on this site are copyrighted ©.