2012-06-08 18:17:53

Të hënën, më 11 qershor, Papa hap takimin dioqezan në Romë.


Të hënën e ardhshme Papa do të hapë punimet e takimit dioqezan të Romës, që do të mbahen në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, duke nisur nga ora 19.30.
Tema e zgjedhur nga dioqezi i Papës për takimin e sivjetëm është “Shkoni e bëni dishepuj, duke pagëzuar e duke mësuar(Mt, 19-20). Të rizbulojmë bukurinë e Pagëzimit”.
Natën e parë, pas përshëndetjes së hapjes, mbajtur nga kardinali mëkëmbës, Agostino Valini dhe fjalimit të Papës, fjalën do ta marrë imzot Krispino Valenciano, i Institutit Liturgjik të Shën Anselmit, këshilltar i Komisionit Papnor për Pasuritë Kulturore, që do të flasë për bukurinë e Pagëzimit, duke u nisur nga ikonografia e Gurrës së Pagëzimit apo Baptisterit dhe e Bazilikës lateranense.
Mbrëmja e dytë do të nisë me referatin e kardinalit Valini, që do të ketë në qendër të vëmendjes realitetin e Pagëzimit, duke u mbështetur në informacionet e famullive romake, të pyetura për ecurinë e Sakramentit.
Mbrëmja do të përfundojë me fjalën e imzot Andre Lonardo, drejtor i zyrës katekistike dioqezane, që do të paraqesë materialin ndihmës për punën baritore lidhur me Sakramentin e Pagëzimit. Materiali, që do të jetë i gatshëm nga fundi i korrikut, ka për qëllim të japë ndihmesën e vet në formimin e katekistëve, duke pasur parasysh vitin e ardhshëm baritor.
Të mërkurën, 13 qershor, punimet do të përfundojnë në prefekturat, ku zhvillohen asambletë për ballafaqimin e parë programatik, lidhur me çështjet që do të dalin gjatë dy ditëve të para të takimit.








All the contents on this site are copyrighted ©.