2012-06-08 15:59:51

Siri. Damasku mohon autorësinë e masakrës. Kardinali Sandri: shqetësimi për civilët


Regjimi sirian hodhi poshtë sot çdo lloj përgjegjësie për masakrën e Hamës, denoncuar gjatë natës nga Këshilli kombëtar sirian, me seli jashtë vendi. Thellësisht të zemëruara, kancelaritë kryesore evropiane e të botës arabe për përroin e ri të gjakut, me pasojë, më se 100 viktima. Ndërkaq diplomacia ndërkombëtare vijon të lëvizë. Nga samiti i Stambollit, SHBA kërkojnë tranzicionin e menjëhershëm të pushtetit, ndërsa Rusia e Kina këmbëngulin për një zgjidhje të koncentruar të krizës. Për të na folur lidhur me këtë situatë tejet të ndërlikuar, ftuam në mikrofonin tonë Marçela Emilianin, specialiste e Lindjes së Mesme, për gazetën italiane ‘il Messaggero”.

Përgjigje: - Nga Stambolli e nga Shangai nuk kemi qëndrime të reja, lidhur me sjelljet që vijojnë të mbajnë Rusia e Kina ndaj krizës siriane. Ata vijojnë ta njohin si të ligjshëm, akoma sot, regjimin e Bashar Asadit, pavarësisht nga vijimi i masakrimit të popullsisë. Gjëja më e rëndësishme është se kur Kofi Annan pati paraqitur, gjashtë javë më parë, planin e tij të tranzicionit ‘të butë’, posaçërisht Rusia qe impenjuar ta mbështeste. Prej këndej, zgjerimi i diskutimit në një konferencë ndërkombëtare, për të arritur të njëjtat rezultate, që propozonte Kofi Annan, ngjall dyshimin se e gjithë kjo bëhet për të fituar kohë. Kujtojmë se Annan ishte e vijon të jetë përfaqësues i OKB-së dhe i Lidhjes Arabe. Prej këndej, pyetja: ç’mund të mbrohet në një Konferencë ndërkombëtare, që nuk mund të diskutohet me Kofi Anann? Kjo është çështja!

Pyetje: - Deri më sot, vendet perëndimore e vendet mike të Sirisë, duke përfshirë edhe SHBA, nuk kanë hamendësuar një ndërhyrje të armatosur në Siri, për t’i dhënë fund krizës, sepse Rusia e Kina i kundërvihen fuqimisht një mundësie të tillë....

Përgjigje: - Në se Kina e Rusia do të hiqnin dorë nga vetoja, që pengon ndërhyrjen e armatosur, regjimi i Asadit do të binte brenda një dite të vetme. Asadi sundon i mbështetur pikërisht mbi forcën e vetos së Rusisë e të Kinës në OKB, ndërsa si brenda, ashtu edhe jashtë, e ka humbur çdo mbështetje ligjore, duke e zhytur vendin në luftë civile. Në se ka gjë që nuk dihet, është qëndrimi që do të mbajë Irani. Ç’do të bëjë Irani, në se regjimi i Asadit do të shembet? E kjo, sepse Irani në këtë rast do të humbiste të vetmin aletat, që ka në Lindjen e Mesme.

Pyetje: - Rusia është në kërkim të garancive, përsa u përket interesave të veta në vend, apo është e lidhur ngushtë me regjimin ?

Përgjigje: - Ka dy mendime, që duhen pasur parasysh. Rusia ka interesa të drejtpërdrejta konkrete, ka përfaqësues të shumtë, që merren me interesat e saj në vend, e ka edhe disa miliona dollarë, që kanë të bëjnë me armët, armë konvencionale. Sipas mendimit të përgjithshëm, Siria i siguron Rusisë të vetmen pikëmbështetje për Flotën e saj detare në Mesdhe: portin Tartus. Gjëja më e rëndësishme, që duhet theksuar, është se ky ngulm i Putinit për të mbrojtur regjimin e Asadit, i ngjet shumë rikthimit në politikën e shtrirjes së Rusisë në Lindjen e Mesme, e prej këndej, ka shumë mundësi që Putin, përmes Sirisë, mendon ta rishikojë gjithë politikën e pushtuese ruse, duke llogaritur mirë pështjellimin, që u krijua nga pranvera arabe.

Shqetësim e dhimbje për gjendjen e rëndë humanitare në Siri e për kushtet e vështira, në të cilat jetojnë të krishterët, shprehu kardinali Leonardo Sandri, prefekt i Kongregatës për Kishat Lindore, gjatë paraqitjes së Mitingut të Riminit për Miqësinë ndërmjet Popujve:
“Nuk ka ditë, që nuk marrim lajme, të cilat të bëjnë të qash, sepse të kujtojnë dhunën e tmerrshme. Shqetësohemi sidomos sepse nuk kuptohet cila është kjo forcë, që po e shkakton gjithë këtë gjakderdhje mbi fëmijë, gra e pleq, e edhe pse nuk po hapet asnjë shteg dialogu, pajtimi, nuk po ndrin asnjë rreze shprese për arritjen e armëpushimit e rifillimin e bisedimeve: në Homs, për shembull, duket se tashmë të gjithë kanë ikur, duke e lënë vendin shkret”.







All the contents on this site are copyrighted ©.