2012-06-08 19:18:47

Shenjtorët e javës


E diel, 10 qershor, Kisha katolike kremton solemnitetin e Korpit dhe të Gjakut të Krishtit. Eukaristia e Shenjtë e bën njeriun një gjë të vetme me Jezusin e, mbi gjurmët e Krishtit, e shndërron në dhuratë për të tjerët, në mjet, për unitetin e familjes njerëzore. Në Eukaristi ndodh pikërisht shndërrimi i dhuratave të kësaj toke – bukës e verës – që e shndërrojnë, pastaj edhe jetën tonë njerëzore, për të përuruar shndërrimin e botës. Në solemnitetin e Korpit të Krishtit, Kisha i ftoi të gjithë të meditojnë për misterin e Krishtit, që dhuron vetveten mbi Kryq, duke e shpëtuar botën e duke i treguar rrugën e shëlbimit.

Të hënës më 11 qershor, kalendari kujton shën Barnabën. Ky Apostull diti të kombinojë kulturën hebraike e atë helenistike, me të cilat u takua krishtërimi, duhet të shërbejë si shembull që meriton të ndiqet. Në një shoqëri si kjo e jona, në të cilën bashkëjetojnë shumë kultura, nuk duhet harruar se çdo i krishterë e ka për detyrë t’ua kumtojë gjithë vëllezërve shëlbimin e Zotit.

Të martën më 12 qershor, kalendari kujton shën Leonin III papë e Shën Onufrin vetmitar, jeta e të cilëve u ndriçua gjithnjë nga drita e fytyrës së Zotit.
Liturgjia e së martes na kujton se njeriu nuk mund të shikojë në errësirë, se kërkon dritë e, prej këndej, se i krishteri, me shembullin e jetës së tij, është i thirrur të jetë dritë në errësirën e botës, që të gjithë të mund ta shikojnë Jezu Krishtin.

Të mërkurën më 13 qershor, kalendari kujton shën Antonin e Padovës, françeskan e doktor i Kishës. Ky shenjt nderohet në të gjitha vendet antoniane: nga Portugalia, në Padovë e vende tjera si dhe në trevat shqiptare si në Laç të Sebastes e në Braticë, në Gjakovë, në Binçë e në Gllogjan, si dhe në Tuz e Gusi. Figuar e shën Ndout na kujton se për të qenë i krishterë i vërtetë, nuk mjafton t’i pranosh urdhërimet e Tënzot; po duhet t’i jetosh ditë për ditë, i frymëzuar nga Fjala e Zotit dhe Shpirti i jetës.

Të enjten më 14 qershor, bie kujtimi i shën Elizeut profet dhe shën Leduines. Liturgjia na kujton brohoritjen e psalmistit: “Na jep, o Zot, sy, për të parë lumninë tënde!”. Na kujtojnë edhe se mësimet e Jezusit nuk na pengojnë ta jetojmë me fund jetën tonë njerëzore. Përkundrazi, na ndihmojnë ta gëzojmë me frymë thellësisht humane e kristiane, me dashuri, bujari, drejtësi e solidaritet.

Të premten më 15 qershor Kisha do ta festojë Solemnitetin e Zemrës së Krishtit. Kjo festë na kujton se Zoti është bariu i çdo besimtari e se atij që ecën pas Krishtit, nuk i mungon asgjë.

Të shtunën që vjen më 16 qershor, pranë e pranë me Zemrën e Krishtit, të shtunën do të kremtohet Zemra e Papërlyer e Zojës së Bekuar, e Gruas që e mëson çdo të krishterë ta ndjekë në heshtje Zotin e ta ruajë në zemër të vet gjithçka Jezusi bën ditë për ditë për të e për të gjithë njerëzit.

Të dielën e ardhshme më 17 qershor, Kisha katolike kremtojë të Dielën 11-të të kohës së zakonshme gjatë vitit kishtar. E gjithnjë më 17 qershor kalendari kujtoi edhe shenjtorët Vlashi e Diogjeni, martirë. Këta shenjtorë me jetën e tyre na kujtojnë se feja nuk mund të ndahet nga dialogu i përhershëm me Zotin. Por dialogu, më shumë se me fjalë, bëhet me dëshmi, me mënyrën si e jetojmë Ungjillin, duke mos kursyer asgjë për Krishtin e për të afërmin.







All the contents on this site are copyrighted ©.