2012-06-08 19:15:21

Pas dështimit të tre raundeve të para, nesër, raundi i katërt për zgjedhjen e Presidentit të Shqipërisë


Java që sapo kaloi e la Shqipërinë jo vetëm pa president të ri, por edhe pa kandidat. Mazhoranca dhe opozita nuk u morën vesh për një emër të përbashkët e raundi i tretë i votimeve në Kuvend, përfundoi njëlloj si dy të parët, brenda dy minutave, thjesht me konstatimin se mungon një kandidat konsensual. Votimi i ardhshëm do të bëhet të hënën në orën 10.00, por kësaj radhe mjafton shumica e thjeshtë e deputetëve për të miratuar një president të mundshëm. Para këtij votimi, që i jep një vendi kreun e shtetit, atë që duhet të përfaqësojë shpirtin kombëtar të një populli, po kujtojmë ç’thotë Doktrina Shoqërore e Kishës Katolike për demokracinë, vlerat dhe përgjegjësitë politike.
Parimi i dashurisë ndriçon udhën e të krishterëve edhe për të kuptuar se ç’do të thotë “bashkëjetesë politike”. Kisha e vlerëson sistemin e demokracisë, pasi kur funksionon si duhet, ai siguron pjesëmarrjen e qytetarëve në vendimet politike dhe garanton mundësinë si për të zgjedhur e për t’i kontrolluar qeveritarët e momentit, ashtu edhe për t’i zëvendësuar paqësisht, kur është e nevojshme (Centesimus annus 46).
Gjithsesi, demokracia rrezikohet vazhdimisht nga ai, që Kisha e quan “relativizëm etik”, sipas të cilit nuk ekziston asnjë kriter objektiv dhe universal për të përcaktuar bazën dhe hierarkinë e vlerave. Por, ata që kanë përgjegjësi politike nuk duhet të harrojnë e as ta nënvleftësojnë përmasën morale dhe etike të veprimtarisë së tyre, duke jetuar me popullin që përfaqësojnë e duke gjetur zgjidhje për problemet shoqërore. Prandaj, autoritet me përgjegjësi do të thotë autoritet me virtyte, që favorizojnë ushtrimin e pushtetit me frymën e shërbimit për të mirën e përbashkët. Partitë politike në garë për të caktuar emrin e atij, që do të jetë Presidenti i ardhshëm i Republikës së Shqipërisë, e kanë për detyrë e jo për qejf të interpretojnë aspiratat e shoqërisë, duke u dhënë mundësi qytetarëve të shohin vetveten në vendimet e politikanëve, të cilëve u kanë dhënë votën.







All the contents on this site are copyrighted ©.