2012-06-08 16:00:22

Monsinjor Georg: Papa i ka krasitur degët e thata në Kurien Romake.


“Benedikti XVI arriti të bëjë, në një kohë tejet të shkurtër, atë që shumëkush e shikonte si të pamundur: e gjallëroi Kishën në vite të vështira. Në Kurien Romake, i dha limfë të re formave të vjetra, duke i krasitur, njëkohësisht, degët e thata”. Kështu shkruan monsinjor Georg Genshvain, sekretar i posaçëm i Papës, në parathënien e vëllimit “Jezusi i Nazaretit në universitet: Libri i Benediktit XVI, i lexuar dhe i kometuar në universitetet italiane”, botuar sot në gazetën “Avvenire”.
Për monsinjor Georg, ka ardhur koha të rishikohet thellë figura, që kanë krijuar disa mjete komunikimi për ish-prefektin e Kongregatës të Doktrinës së fesë, që u bë Papë. E kjo, jo vetëm për ta gjykuar me drejtësi një personalitet të madh, por edhe për të dëgjuar, pa paragjykime, çfarë ka për të thënë ky Njeri, që rri mbi fronin e Shën Pjetrit. Sekretari i posaçëm i Papës u kujton të gjithëve se Benedikti XVI nuk është politikan e se papnia e tij nuk është projekt.
Nënvizon, më tej, sekretari i Papës: “Për t’u shënuar edhe guximi i Atit të Shenjtë. Benedikti XVI nuk ka frikë nga ballafaqimet e as nga diskutimet; i quan me emrin e vet mangësitë dhe gabimet e perëndimit; kritikon dhunën, që synon të përligjet me fenë; nuk pushon s’i kujtuari njerëzimit se të pranosh relativizmin dhe hedonizmin, do të thotë t’i kthesh shpinën Zotit.
Në qendër të mendimit të Papës, pohon monsinjor Georg, është çështja e lidhjes ndërmjet fesë e arsyes, ndërmjet së vërtetës e lirisë, fesë e dinjitetit njerëzor”.







All the contents on this site are copyrighted ©.