2012-06-08 19:09:26

Atë Federico Lombardi: Prania e Eukaristisë për të gjithë


Të enjten e kaluar, në festën e Korpit e të Gjakut të Krishtit, Papa Benedikti XVI, i rrethuar nga mijëra besimtarë, që mbushën me ngjyra tremen e Bazilikës së Shën Gjonit në Lateran dhe rrugën Merulana të Romës, kremtoi Meshën e Solemnitetit dhe kryesoi procesionin deri në Bazilikën e Zojës së Madhe. Gjatë homelisë, Ati i Shenjtë vuri në dukje dy aspekte: vlerën e kultit eukaristik dhe shenjtërinë e Eukaristisë. Këtij argumenti ia kushton komentin e sotëm, zëdhënësi i Vatikanit, atë Federiko Lombardi:
“Me rastin e festës së Korpit e të Gjakut të Krishtit, Papa foli sërish për një temë karakteristike të magjisterit të tij, për kultin eukaristik: plotësim i kremtimit të meshës me adhurimin e të Shenjtnueshmit Sakrament. Theksi i tepruar, për të mos thënë përjashtues, mbi kremtimin eukaristik në dëm të përmasës e të kohës, kushtuar adhurimit, bën të mos kuptohet më e të mos ndjehet prania e gjallë e Zotit në Sakramentin eukaristik, edhe jashtë meshës e ndoshta, të mos ndjehet edhe kuptimi shpirtëror e pasuria e vetë kremtimit të meshës.
Por, ndjesia e kësaj pranie në të vërtetën dhe realitetin e vet, është themelore për jetën e krishterë. M’u kthyen spontanisht në mend, fjalët e rëndësishme, që tha Papa, pak ditë më parë, gjatë mbrëmjes festive me familjet në Milano, duke folur për personat, të cilët nuk mund të marrin kungimin, për shkak të gjendjes së parregullt martesore. Tha: “Është shumë e rëndësishme të ndjejnë që Eukaristia është e vërtetë, se mund të marrin pjesë në Të, vetëm nëse realisht hyjnë në bashkim me Korpin e Krishtit. Edhe pa e marrë “fizikisht” sakramentin, mund të jemi shpirtërisht të bashkuar me Krishtin në Korpin e Tij”. Vërtet, sepse Korpi i Tij nuk është vetëm Hostja Shenjte, por edhe bashkësia e Kishës… T’i ftosh njerëzit në kungimin “shpirtëror”, kur nuk është i mundur ai “fizik”, trupor, nuk do të thotë t’u japësh ngushëllim të rremë, por t’u zgjerosh e t’u thellosh përmasat e jetës në fe e në bashkësinë fetare. Vetëm kështu, edhe fjala tjetër e Papës në Milano – në shikim të parë, pak si e mistershme – mund të gjejë kuptimin e vet: vuajtja e atyre, të cilët nuk mund të marrin kungimin sakramentor, nëse pranohet si çmim për dëshminë e përbashkët, që duhet të japin besimtarët për vlerën e qëndrueshmërisë së dashurisë martesore sakramentore, “është dhuratë për Kishën”. Po, sepse këta njerëz nuk janë “jashtë” bashkësisë, por “plotësisht brenda” saj, në zemrën e saj, ndoshta, me më shumë dëshirë, shtuar nga përvoja e privimit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.