Festa e Korpit të Krishtit, është festa e Eukaristisë.
Corpus Domini – solemniteti i Korpit e Gjakut të Krishtit është festa e Eukaristisë,
Sakrament në të cilin Jezusi na la kujtimin e gjallë të Pashkëve të Tij, ngjarje qendrore
në historinë e njerëzimit. Është diçka e bukur që në këtë festë besimtarët shtrëngohen
rreth të Shenjtnueshmit Sakrament për ta adhuruar, e shoqërojnë me procesion nëpër
rrugë, shprehin, me shumë shenja devocionin, fenë në Krishtin e gjallë dhe gëzimin
për praninë e Tij në mes tyre. Duke e kundruar vazhdimisht fytyrën e Fjalës së
Mishëruar, që është realisht i pranishëm në Sakrament, të krishterët mund të ushtrohen
në artin e lutjes dhe të impenjohen ta jetojnë jetën e krishterë në atë masë të lartë,
që është kusht i domosdoshëm për të zhvilluar me sukses ungjillëzimin e ri. Eukaristia
është në qendër të jetës së Kishës. Në të Krishti i dhurohet Atit për ne, duke na
bërë pjesëtarë të vetë flijimit të vet, e ne na dhurohet si bukë e jetës për të na
mbështetur në shtegtimin tonë nëpër rrugët e botës. Simbolet themelore të kremtimit
janë Korpi e Gjaku i Krishtit, që Zoti ia dhuroi të vetëve të Enjten e Madhe, para
se të largohej nga Çenakulli për në Malin e Ullinjve. Na çojnë në atmosferën intime
të Pashkëve të izraelitëve, në kujtim të Pashkëve të para, kremtuar në Egjipt. E pikërisht
në një natë të tillë Jezusi del e dorëzohet në duart e tradhtarit: Fiton kështu mbi
natën, fiton mbi errësirën e së keqes. Vetëm kështu përmbushet dhurata e Eukaristisë,
e themeluar në Çenakull. Jezusi dhuron vërtetë Korpin e Gjakun e tij, bëhet Bukë e
gjallë, manë e vërtetë, ushqim i pashtershëm për të gjithë shekujt. Korpi bëhet bukë
e jetës. Simbolik është edhe procesioni i së Enjtes së Madhe, kur Kisha e shoqëron
Jezusin në Malin e Ullinjve për të mos e lënë vetëm në natën e botës, në natën e tradhtisë,
në natën e indiferencës së shumëkujt. Në festën e Corpus Domini e bëjmë përsëri këtë
procesion, por tani me gëzimin e Ringjalljes, sepse Zoti është i gjallë e na prin,
ashtu siç u pati prirë apostujve në Galilé. Dy mijë vjet më parë, në sa u printe në
dy drejtime, Jezu Krishti u dha nxënësve të vet dy mandate kryesore: “Shkoni e mësojini
të gjithë popujt” – dhe - “Mos më ndaloni, sepse nuk jam ngjitur ende tek Ati”. E
Jezusi na prin pikërisht drejt Atit, ngjitet në lartësinë e Hyjit e na fton ta ndjekim,
sepse caku i vërtetë i shtegtimit tonë është bashkimi me Zotin, i cili vijon të na
ftojë të ecim nëpër rrugët e botës duke ua çuar Ungjillin të gjithë popujve e duke
ua dhuruar dashurinë e tij njerëzve të të gjitha kohërave. Kështu të dy procesionet,
ai i Udhës së Kryqit dhe ky i Corpus Domini, na kujtojnë të njëjtën thirrje: “Çojeni
Ungjillin deri në kufijtë më të largët të botës”. Eukaristia, themeluar nga Jezusi
në familjen e tij të re, të përbërë nga Dymbëdhjetë Apostujt, është Sakrament intim,
familjar, prandaj në Kishën e lashtë, kur jepej kungimi, shqiptoheshin fjalët: “Sancta
sanctis – dhuratë shenjte për shenjtorët”. E Shën Pali, duke iu drejtuar Korintianëve,
na kujton: “Secili më parë të shqyrtojë mirë vetveten e pastaj të hajë nga kjo bukë
e të pijë nga ky Kelk!”. Megjithëse Eukaristia ka karakter familjar, forca e saj shkon
përtej mureve të Kishave tona, sepse në këtë Sakrament Zoti është gjithnjë për udhë,
drejt botës. Ky aspekt universal i pranisë Eukaristike bëhet i dukshëm në festën e
Korpit e të Gjakut të Krishtit, sepse Kisha e çon Krishtin, të pranishëm në trajtën
e bukës, nëpër rrugët e qytetit. Ia beson këto rrugë, këto shtëpia – jetën tonë të
përditshme – mirësisë së Tij. Qofshin rrugët tona – rrugët e Jezusit! Shtëpitë
tona qofshin për Të e me Të. Jeta jonë e përditshme u përshkoftë nga prania e Tij.
Procesioni është bekim i madh për rrugët e botës, sepse përmes tij Kisha vë para syve
të Zotit vuajtjet e të sëmurëve, vetminë e të rinjve e të pleqve, tundimet, frikën
– gjithë jetën njerëzore. Kujtojmë sot edhe mandatin e Krishtit: “Merrni e hani!”
e simbolin e bukës, përmes së cilës bashkohemi me Jezusin, e lemë veten të përshkohemi
nga Ai që është Zot, Krijues, Shpërblyes. Jeta jonë shkrihet me të Tijën, shndërrohet
në jetën e Tij, që është dashuri e gjallë. Kështu Adhurimi e procesioni bëhen pjesë
e gjestit të vetëm të bashkimit me Zotin!