Duke folur për shenjtorët, nuk e kemi ndër mend t’ju tërheqim vëmendjen nga e sotmja,
në të kaluarën. Përkundrazi, dëshirojmë t’ju nxisim që, duke shkelur në gjurmët e
lëna nga shenjtorët, të ecim më të sigurtë drejt atmes qiellore. E Shenjti i sotëm
me emrin Norbert, që në gjuhën gjermane do të thotë ‘njeri i shquar, i ardhur nga
veriu’, na çon pikërisht në një kohë të largët, që megjithatë nuk na shkëput nga e
sotmja. Shenjti është themelues i një urdhëri të lashtë monastik, i cili nisi që në
vitin e largët 1112 e iu kushtua edhe veprimtarisë së ungjillëzimit, aq aktuale në
ditët tona. Urdhëri, i themeluar nga Norberti, i parapriu një urdhëri tjetër, atij
të lëmoshtarëve, që njihen kryesisht me emrin Premostratensë. Ky emër vjen nga lugina
franceze Premontré, pranë Laonit, ku kishte zënë vend Shenjti me disa shokë. Norberti
lindi në Ksanten të Gjermanisë, ndërmjet viteve 1080 e 1085. Ishte foshnjë e lindur
në gjirin e një familjeje fisnike, që jetonte me salltanet të madh. E edhe ai ashtu
nisi të jetonte, ndonëse u bë subdiakon e u vu në shërbim të kryeipeshkvit të Këlnit.
Më shumë festa se lutje, më shumë darka e dreka se agjërim. Në këtë atmosferë, karakteristike
për shumë klerikë të epokës, megjithë qortimet e vazhdueshme të papëve, u rrit edhe
shenjti. E do të kishte vijuar kështu deri në fund të jetës, në se një ngjarje e jashtzakonshme
nuk do ta kishte shtyrë të bënte një kthesë edhe më të jashtzakonshme. Një ditë të
stuhishme pranë tij ra një rrufe, duke e lënë pa ndjenja. Provoi shijen e hidhur të
vdekjes, dmth të asgjësimit fizik. Ishte një shenjë e qartë, ndoshta paralajmërimi
i fundit. Rifilloi atëherë studimet, u shugurua meshtar, nisi të udhëtonte, gjithnjë
këmbëzbathur e t’u predikonte të krishterëve Ungjillin e Krishtit. Por më shumë se
besimtarëve, u predikonte priftërinjve, me moton: ‘Në se do ta ruash grigjën, gjej
bariun e përshtatshëm’. Kështu më 1121 themeloi urdhërin e ri, që shumë shpejt u përhap
në të gjithë Evropën e deri në Palestinë. Nga viti 1126 e deri në vdekje qe ipeshkëv
i Magdenburgut. Vdiq në vitin 1134 e është shenjt që nga viti 1582. I pranishëm
në Martiriologun Romak, Shën Norberti, ipeshkëv ka si simbol shkopin baritor.