2012-06-06 18:09:50

Audienca e përgjithshme: Papa kujton Milanon: çështja e familjes, është çështje e qytetërimit.


“Çështja e familjes, është kauza e vetë njeriut dhe e qytetërimit”. Benedikti XVI, i sapokthyer nga Takimi VII Botëror i Familjes, e përfundoi me këtë pohim audiencën e përgjithshme, mbajtur sot paradite në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, të cilën ia kushtoi përvojës së jetuar në fund të javës së kaluar, në kryqendrën lombarde. Në përfundim të audiencës, Papa kujtoi Meshën solemne, që do të kryesojë nesër për Corpus Domini. RealAudioMP3


Ju falënderoj, që më bëtë të jetoj një çast me familjet e për familjet. Me këto fjalë e nisi sot Papa, përmbledhjen tradicionale të kujtimeve e të ndjenjave, përballë një turme të madhe shtegtarësh e besimtarësh, të pranishëm në audiencën e përgjithshme. Ishte një sintezë prekëse e gjithë takimit me familjet e botës, jetuar në atmosferën e gëzimit e të shpresave të mëdha për të ardhmen. Kanë kaluar vetëm 48 orë, tha Papa, prej këndej vijoj ta ndjej fuqimisht ngrohtësinë e madhe, që vërshoi në rrugët përplot me njerëz në festë, sapo vura këmbën në Milano. Ishte një dëshmim i vazhdueshëm, me forma e ngjyra entuziazmuese. Njerëz, ardhur nga të pesë kontinentet, nga vise të vogla e të mëdha, shprehnin, në mënyra nga më të ndryshmet, gatishmërinë për ta dëshmuar ‘Ungjillin e familjes”.
“Po, sepse njerëzimi nuk mund të ketë ardhmëri, pa familjen; posaçërisht të rinjtë, për t’i kuptuar vlerat, që i japin kuptim jetës së tyre, kanë nevojë të lindin e të rriten në këtë bashkësi jete e dashurie, që Zoti vetë e deshi për burrin e për gruan”.
Gjatë katekizmit, Papa u bëri jehonë mbresave, që provoi në të gjitha etapat e vizitës në Milano. Kujtoi, posaçërisht, afërsinë me familjet, që kalojnë çaste të vështira, të tronditura nga kriza ekonomike, nga tërmeti e ngjarje të tjera të hidhura, duke u ndaluar tek solidariteti, që përshkoi si fill i kuq, të gjitha veprimtaritë, që nga pritja në Sheshin e Katedrales, tek koncerti në ‘La Scala” e tek Mesha Shenjte në Parkun Beso, të cilin Benedikti XVI e quajti “katedrale e madhe nën qiellin e hapur”.
Ati i Shenjtë u rikujtoi shtegtarëve se “në Jezusin e Nazaretit, Hyji bëhet i afërt e mbart gjithë vuajtjen tonë”. Kështu mund të themi se pikërisht në familje...
“... provohet për herë të parë se njeriu nuk u krijua për të jetuar i mbyllur në vetvete, por në lidhje me të tjerët; e në familje nis të ndizet në zemër drita e paqes, për të ndriçuar botën tonë”.
Pastaj Papa rikujtoi tematikën e Takimit Botëror, me familjen, punën e festën, duke i parë si terma të një ekuacioni, i cili jo gjithnjë zgjidhet ashtu si do të dëshironim. E shkakun e këtij përfundimi, Papa e shikoi tek prepotenca e impenjimeve të punës, që sot kërcënon ekulibrin familjar; prej këndej kërkoi, nga ata që shkruajnë ligjet, vëmendje më të madhe në këtë drejtim:
Ligjshmëria dhe veprimtaria e institucioneve shtetërore duhet të jenë në shërbim të mbrojtjes së njeriut, në të gjitha aspektet, duke nisur nga e drejta për jetën, që nuk mund të cënohet në asnjë rrethanë, nga asnjë vendim, e tek njohja e identitetit të familjes, bazuar mbi martesën e një burri me një grua”.
Nga ana tjetër, vijoi Papa, festa, e posaçërisht për të krishterët, kremtimi i festës, duhet mbrojtur nga fryma e etjes për fitim, që u dënua plotësisht në Milano:
“E diela është dita e Zotit dhe e njeriut, ditë në të cilën të gjithë do të duhej të ishin të lirë, të lirë për familjet, të lirë për Zotin. Duke e mbrojtur të dielën, mbrohet vetë liria e njeriut”.
E, duke përfunduar me figurën e më se një milion njerëzve, që krijuan rreth tij festën e madhe botërore të familjes, Benedikti XVI theksoi - duke falënderuar për këtë edhe kryedioqezën e Milanos si dhe autoritetet lokale e kombëtare – se ata që ishin të pranishëm në kryeqendrën lombarde, panë ‘epifaninë” e familjes, e cila iu dëftua mbarë botës si forcë e gjallë, vepruese, e gatshme për të përballuar sfidat, jo të lehta, të së ardhmes:
“Nga Milano iu drejtua mbarë botës mesazhi i shpresës, i shprehur përmes përvojave të jetuara: është gjë e mundur dhe e gëzueshme, ndonëse edhe impenjative, ta jetosh ‘përgjithmonë’ dashurinë besnike; dashurinë, që ia hap portat jetës; e është plotësisht e mundur edhe të marrësh pjesë, si familje, në misionin e Kishës e në ndërtimin e shoqërisë”.
Në çastin e pëshëndetjeve përfundimtare, Papa kujtoi festën e Corpus Domini – Korpit të Krishtit, që do të kremtohet nesër. Benedikti XVI, përsëri në festë, do të kryesojë një Meshë solemne, në tremen e Bazilikës romake të Shën Gjonit në Lateran.







All the contents on this site are copyrighted ©.