2012-06-05 10:23:46

Njoftim i Kongregatës së Doktrinës së Fesë për librin e një murgeshe amerikane.


Me një njoftim, botuar mbi librin “Jast Love. A Framework for Christian Sexual Ethics” (Dashuri e drejtë. Kornizë e etikës së krishterë seksuale), shkruar nga motra amerikane Margaret A. Farley, Kongregata e Doktrinës së Fesë e Vatikanit shpreh keqardhjen e thellë për faktin se një anëtare e njërit nga Institutet e Jetës së Përkushtuar, mban qëndrime në kundërshtim të plotë me doktrinën katolike lidhur me moralin seksual.
Njoftimi, që nuk shoqërohet me asnjë masë ndëshkimore, jepet pas shkëmbimit të letrave me vetë rregulltaren, që i përket Sisters of Mercy of the Americas, dhe me eproren e Kongregatës. Përmes këtyre letrave, i kërkohej motrës Farley t’i korrigjonte tezat e papranueshme, që përmban libri. Po përgjigjet e saj nuk i sqaruan si duhet problemet e pranishme në tekst. Prej këndej, anëtarët e Kongregatës vendosën ta botojnë këtë dokument, përmes të cilit theksohet se autorja e librit, motra Farley, nuk e ka kuptuar si duhet rolin e magjisterit të Kishës e, në trajtimin e argumenteve me karakter moral ose nuk e njeh mësimin e përhershëm të Magjisterit, ose, siç ceket në libër, e trajton si një opinion ndërmjet të tjerëve. Një qëndrim i tillë, shënohet në njoftimin e Kongregatës për Doktrinën e Fesë, nuk mund të përligjet në asnjë mënyrë, as në perspektivën ekumenike, që dëshiron të promovojë autorja. Motra Farley nuk e kupton drejt natyrën objektive të ligjit moral natyror dhe zgjedh rrugën e argumentimit, mbi bazë të përfundimeve të disa rrymave filozofike, ose mbi bazë të mënyrës si e kupton ajo vetë përvojën bashkëkohore.
Njoftimi i Kongregatës së Selisë së Shenjtë për Doktrinën e Fesë nënvizon se ky argumentim nuk përkon me teologjinë e vërtetë katolike, duke theksuar gabimet e librit të saj në temën e akteve e të bashkimeve homoseksuale, të masturbacionit, të pazgjidhshmërisë së martesës, të divorcit e të martesës së dytë.
Kongregata nënvizon, për shembull, se qëndrimi i motër Farley për bashkimet homoseksuale e sidomos, për vlerësimin juridik të tyre, duke i krahasuar me bashkimet heteroseksuale, është në kundërshtim me mësimin e magjisterit. Kisha pohon se respekti për homoseksualët nuk mund të çojë në asnjë mënyrë në miratimin e sjelljes homosekuale ose në njohjen ligjore të bashkimeve homoseksuale. T’i barazosh me martesën, do të thotë jo vetëm të devijosh, por edhe të errësosh trashëgiminë e përbashkët të njerëzimit.
Lidhur me “aktet homosekuale” dokumenti nënvizon dallimin, që bën Kisha katolike ndërmjet njerëzve me prirje homoseksuale dhe akteve homoseksuale. Përsa u përket personave, Katekizmi na mëson se duhen respektuar, duke shmangur çdo damkë të padrejtë diskriminuese, ndërsa përsa u përket akteve, Kongregata kujton se nuk mund të miratohen në asnjë rast, sepse, në kundërshtim me ligjin natyror.
Kongregata e Vatikanit kujton, më pas, pazgjidhshmërinë e martesës, duke shtuar se lidhja e bashkëshortëve kërkon besnikëri të plotë. Ata duhet të përfaqësojnë lidhjen e Besës së Zotit me njeriun, të Krishtit me Kishën e Tij. Ndërsa motra Farley është e mendimit se impenjimi martesor mund të zgjidhet, për të njëjtat arsye, që çojnë në zgjidhjen e çdo lidhjeje të përhershme.
Njëlloj në kundërshtim me Doktrinën e Kishës katolike, edhe miratimi i martesës së dytë. Kisha nuk mund ta pranojë këtë bashkim, në se bashkimi i parë vijon të jetë i vlefshëm. Veç kësaj, dokumenti, gjithnjë duke cituar Katekizmin e Kishës Katolike, nënvizon se të divorcuarit e rimartuar me kurorë civile, janë në një situatë, e cila i kundërvihet ligjit të Zotit. Prej këndej, nuk mund ta marrin Kungimin për gjithë kohën, që zgjat një situatë e tillë. E as nuk mund të rrëfehen, në se nuk pendohen plotësisht për shkeljen e Besëlidhjes me Hyjin e të besnikërisë ndaj Krishtit e edhe në se nuk impenjohen të jetojnë në vetëpërmbajtje të plotë.
Përsa i përket masturbacionit, pastaj, kujtohet se është një akt thellësisht i çrregullt e cilado të jetë arsyeja, përdorimi i aftësive seksuale jashtë marrëdhënieve bashkëshortore normale, i kundërvihet plotësisht qëllimit të tyre.
Kongregata i njofton, kështu, besimtarët, se ky libër nuk përkon me doktrinën e Kishës katolike e nuk mund të përdoret si shprehje e vlefshme e kësaj doktrine , as për drejtimin dhe formimin shpirtëror e as për dialogun ekumenik ndërfetar. Në përfundim, teologët këshillohen të mos i vijojnë mësimet e teologjisë morale, që nuk përkojnë plotësisht me parimet e doktrinës katolike.








All the contents on this site are copyrighted ©.