2012-06-05 08:33:45

Më 5 qershor kalendari kujton shën Bonifacin


Më 5 qershor kalendari Kishtar përkujton Shën Bonifacin, ipeshkëv e martir. Pa veprimtarinë misionare të Shën Bonifacit, Apostull i gjermanëve, ipeshkëv e martir,nuk do të kishte qenë i mundur organizimi politik e shoqëror evropian i Karlit të Madh. Bonifaci ose Winfridi duket se i përkiste një familjeje fisnike angleze të Devonshirit, ku edhe lindi rreth vitit të largët 673. Data nuk është e sigurtë, sepse disa nga studiuesit e jetës së tij shënojnë si datëlindje vitin 680.

Para se të niste veprën e lumnueshme të ungjillëzimit të popullsive gjermanike të përtej lumit Ren, praktikoi rregullin murgar në abacinë e Exeter-it e të Nursling-ut. Si kapërceu vështirësitë e para, ia doli mbanësh ta përshkonte gjithë territorin gjerman vetëm për tri vjet. Pas kësaj veprimtarie të ethshme, duke pasur parasysh vështirësitë e kohës, u thirr në Romë nga Papa, u shugurua ipeshkëv dhe mori emrin e ri Bonifac.

Para se ta organizonte Kishën në bregun e djathtë të Renit, mendoi të themelonte, ndërmjet zonës së Hessen-it e të Turingjisë, një abaci, që u bë qendër me rëndësi të dorës së parë të përshpirtërisë dhe e kulturës fetare në Gjermani. Lindi kështu abacia e famshme e Fuldës. Si seli ipeshkvnore zgjodhi qytetin e Maincit (Meinz)..

Pak vjet më parë, kur në Fuldë të Gjermanisë u kremtua 1250 vjetori i vdekjes së Shën Bonifacit, Papa Gjon Pali II u pati drejtuar gjermanëve një Mesazh, përmes të cilit i inkurajonte të ndjekin shembullin e këtij njeriu me besim të patundur, të këtij rregulltari me fe të gjallë ndërmjet vështirësive të panumërta, të këtij ipeshkvi, që dha jetën për e duke predikuar fjalën e Ungjillit.

Figurë e ndritur dhe e dashur për Kishën katolike gjermane, Shën Bonifaci është varrosur në Fuldë, sipas dëshirës së tij, pasi u mbyt nga paganët më 5 qershor në vitin 754, në moshën 80 vjeçare.

E martirizuan sepse shqetësonte shumëkënd me shenjtërinë e misionin e tij, sepse as lodhja, as mosha e as kërcënimet nuk e patën përkulur, por pati mbetur predikatar i zjarrtë e i palodhur i
fjalës së Krishtit, shembull i ndritur për Kishën katolike gjermane e universale.
Duke folur gjatë audiencës së 12 marsiit 2009 për ipeshkvin anglosakson, Shën Bonifacin, i cili jetoi 1300 vjet më parë, Papa Benedikti XVI e quajti “misionar i madh”, që predikoi Ungjillin në Evropën qendrore me rezultate të tilla, sa të mbetej në kujtesën e njerëzimit si ‘apostull i gjermanëve”.
Ai shartoi në trungun e popujve gjermanikë një stil jete më njerëzor, falë të cilit respektoheshin më mirë të drejtat e patjetërsueshme të njeriut (…). Duke e krahasuar fenë e tij të flaktë në Zotin dhe zellin e tij për Ungjillin me fenë tonë të krishterë, tepër shpesh të vaktë e të burokratizuar, shohim ç’duhet të bëjmë e si duhet ta përtërijmë fenë tonë, për t’i dhuruar kohëve tona, margaritarin e çmuar të Ungjillit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.