2012-06-05 08:35:44

Don Paolo Xhentilin: nga Papa, përqafimi i Kishës për ata, që jetojnë me dhimbjen e ndarjes.


Drejtori i zyrës së Konferencës ipeshkvnore italiane për familjen don Paolo Xhentilini: nga Papa, përqafimi i Kishës për ata, që jetojnë me dhimbjen e ndarjes. “Familjeve të ndara, që vuajnë për shkak të dështimit të martesës, nuk do t’u mungojë ndihma e Papës dhe e Kishës”. Është një nga mesazhet e forta të Benediktit XVI në Milano, gjatë Takimit VII Botëror të Familjeve. Si në Festën e Dëshmive, të shtunën e kaluar, ashtu edhe në Meshën e së dielës, Papa pohoi se besimtarët e ndarë nuk janë jashtë Kishës, përkundrazi, janë në zemër të saj. Lidhur me fjalët e rëndësishme të Papës, intervistuam don Paolo Xhentilin, drejtor i zyrës së Konferencës ipeshkvnore italiane për familjen:

Përgjigje: - Ati i Shenjtë ishte përsosurisht në horizontin e vërtetësisë e të mëshirës. Në vërtetësinë e Sakramentit, që e kujtoi disa herë me fjalë prekëse; por edhe të pazgjidhshmërisë së këtij Sakramenti, i cili ka të bëjë me të divorcuarit e rimartuar, e, prej këndej, me pamundësinë e atyre që kanë krijuar një bashkim të ri, për t’u rrëfyer e për t’u kunguar. Mendoj se Papa shkoi më përtej, duke kujtuar, ashtu si pati bërë edhe në Aosta, në korrik 2005, se Kisha ia hap krahët njerëzve që vuajnë, është gjithnjë pranë tyre, nuk i braktis kurrë. Fjalët e Papës ishin në të njëjtën vijë me takimin, që patëm një vit më parë, me titull: “Dritë shprese për familjen e plagosur”.

Pyetje: - Edhe pa bashkimin trupor me Sakramentin, tha Papa, ka një bashkim tjetër me Krishtin, bashkim shpirtëror. E ta bësh të kuptueshme këtë, është diçka tepër e rëndësishme. Prej këndej, mbetet shumë për të bërë në këtë drejtim....

Përgjigje: - Besoj se puna më e rëndë – e jemi duke e verifikuar edhe me shumë drejtues të bashkëshortëve, si dhe me meshtarë, është ajo baritore, që Kisha të kuptohet si Korp i vërtetë i Krishtit, e prej këndej, edhe prania e Krishtit në Ungjill, në dëgjimin e Shkrimit Shenjt, në lutje, në vuajtjen e ofruar. Domethënë vetë Kisha të kuptohet si Sakrament i shëlbimit. E kjo do të thotë ta jetosh Korpin e Krishtit përmes Kishës, edhe duke mos e marrë fizikisht. Do të thotë të jesh i qartë për kuptimin e familjes së familjeve, që është Kisha, për përqafimin, që u jep Ati i Shenjtë njerëzve të plagosur, të cilët jetojnë përvojën e hidhur të dështimit të martesës. E sidomos, fëmijëve. Sepse pikërisht fëmijët vuajnë më shumë, për shkak të divorcit të prindërve të tyre.







All the contents on this site are copyrighted ©.