2012-06-05 08:36:08

Bashkim bankar e politik: plani në prag të mbledhjes së BE-së, në fund të qershorit


Një plan për forcimin e euros e të Evropës: sipas shtypit, për këtë po punojnë presidenti i Bankës Qendrore Evropiane, Dragi, presidenti i Komisionit të BE-së, Barroso, presidenti i Eurogrupit, Zhan-Klod Junker dhe presidenti i Këshillit Evropian, Van Rompuj. Plani do të bëhet i ditur në mbledhjen e 27-shes në fund të qershorit. Katër, fushat kryesore të projektit: reforma strukturore të përbashkëta, politika të integruara bilanci, bashkim bankar dhe bashkim politik. Të dëgjojmë editorialistin italian Andrea Bonani, ekspert i çështjeve evropiane për gazetën “La Reppublica”:RealAudioMP3

Në thelb, është plan i Bankës Qendrore Evropiane, i presidentit Dragi, i cili thekson dy gjëra kryesore: së pari, ndarjen e rrezikut, që ekziston mbi borxhin publik, nga rreziku mbi sistemin bankar. Shpëtimi i bankave nuk duhet të varet nga autoriteti kombëtar, por nga një autoritet evropian. Plani parashikon katër pika kryesore: përqëndrimi i kontrollit mbi bankat në një autoritet të vetëm; krijimi i një garancie të vetme mbi llogaritë bankare, të cilat, sot për sot, garantohen në nivel kombëtar; krijimi i një fondi për likuidimin e bankave, që duhen mbyllur, ose ristrukturuar dhe; pika më e diskutueshme, të lejohet Fondi për shpëtimin e shteteve të financojë drejtpërdrejt bankat në vështirësi, pa kaluar përmes qeverisë. Ky është rasti spanjoll, për shembull. Në Spanjë ka banka në vështirësi. Nëse qeveria i financon, rrit defiçitin dhe borxhin e vet, pra, e keqëson më tej gjendjen e buxhetit publik. Pastaj, shteti nuk dëshiron t’i kërkojë para Fondit, sepse kjo sjell një sërë kushtëzimesh për sovranitetin kombëtar, prandaj i kërkon Fondit t’i ndihmojë bankat drejtpërdrejt. Kjo nuk lejohet nga rregullorja aktuale e gjermanët janë kundër. Për ta miratuar këtë ndryshim duhet modifikuar Statuti i Fondit për shpëtimin e shteteve e do të duhej edhe vota pozitive e parlamentit gjerman, shumë e vështirë për t’u marrë. Gjëja e dytë, që propozon Dragi, është me natyrë politike. Sipas tij, është e padobishme që mbyllim pa fund vrimat e krizës, kur ajo hap gjithnjë fronte të reja. Duhet që krerët e qeverive e liderët evropianë t’i shohin gjërat në perspektivë e t’u thonë kombeve si e shohin euron dhe Bashkimin monetar të paktën për 10 vjet, pra, të japin një perspektivë afatgjatë.







All the contents on this site are copyrighted ©.