2012-06-05 15:47:03

Atë Lombardi: filloi marrja në pyetje e të akuzuarit për nxjerrjen e dokumenteve nga Vatikani


Sot, mazhordomi i Papës, Paolo Gabriele, i arrestuar që prej 13 ditësh me akuzën e nxjerrjes së dokumentave të rezervuara jashtë Vatikanit, u mor në pyetje zyrtarisht nga një gjykatës, në praninë e dy avokatëve. Lajmi u dha nga drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi, i cili sqaroi edhe se nuk do të jepen informacione mbi përmbajtjen e bisedimeve e mbi zgjatjen e tyre. Paolo Gabriele ka premtuar të bashkëpunojë gjerësisht me hetuesit. Gjithashtu, atë Lombardi përgënjeshtroi edhe hipotezën se ndihmësi i dhomës i Papës ka luajtur ndonjë lojë të dyfishtë, pra, ka nxjerrë dokumenta jashtë, por pasi është zbuluar, e ka vazhduar lojën për të nxjerrë në dritë të gjithë personat e përfshirë në këto ngjarje. “Është hipotezë krejtësisht e pabazuar”, nënvizoi atë Lombardi. Paolo Gabriele mbetet, tani për tani, i akuzuari i vetëm.








All the contents on this site are copyrighted ©.