Nigeria në zi për viktimat e aksidentit ajror dhe atentatet kundër të krishterëve
“Jemi të tronditur nga dy tragjeditë, që kanë goditur dje Nigerinë: aksidenti ajror
në Lagos dhe sulmi kundër kishës së krishterë në Bauchi”. Kështu deklaron për agjensinë
kishtare Fides, kryeipeshkvi i Xhosit dhe kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Nigerisë,
imzot Ignatius Ayau Kaigama, i cili, së bashku me prelatët e tjerë të vendit u takua
me presidentin Goodluck Jonathan për të diskutuar mbi problemet e sigurisë. Ipeshkvijtë
bëjnë thirrje për fundin e dhunës. Ndërkaq, është gjetur kutia e zezë e kompanisë
ajrore Dana Air, avioni i së cilës u përplas dje pasdite në një lagje të populluar
të Lagosit. 153 personat, që udhëtonin me të, kanë humbur jetën. Vendi mban tri ditë
zi. Viktimave të aksidentit iu shtua edhe sulmi kundër një kishe të krishterë, në
vazhdën e atentateve kundër kësaj bashkësie, që po persekutohet si në kohët e para
të krishterimit. “Lutuni për Kishën, Nigeria është tokë martirësh”. Kjo është thirrja
e një murgeshe nga vendi afrikan, të cilën e kemi intervistuar pa ia përmendur emrin,
për arsye sigurie. Ta dëgjojmë: Të krishterët
kanë frikë. Ka tensione e duhet të jemi gjithnjë vigjilentë, sepse edhe tani dukej
qetësi, por dje, shpërtheu në Bauchi. Sapo mendon se gjithçka është qetë, nën prush,
përgatitet ndonjë sulm tjetër… Jemi në duart e Zotit. A është e shqetësuar
popullsia? Sigurisht. Është e shqetësuar, por nuk e jep veten. Qëllimi i terroristëve
është të zhdukin të krishterët, sa të mundin… Duhet t’i inkurajojmë besimtarët të
mos kenë frikë… Duan ta bëjnë Nigerinë islamike. E kjo mund të ndodhë vetëm kur të
mos ketë më asnjë të krishterë. Kisha vërtet vuan, por nuk do të shkatërrohet. Më
thoshit se pas atentatit në Kano, disa shkuan për të hequr kryqin nga shkollat? Po,
shkuan të heqin kryqin nga shkolla katolike. Pas bombës së fundit në shkollë, ku humbën
jetën profesorë e studentë, shkuan tek murgeshat e institutit, të cilat e mbajnë shkollën
prej vitesh, me nxënës myslimanë e të krishterë. Nxënësit myslimanë u larguan e kërcënuan
se do të hiqnin kryqet, por akoma nuk ia kanë arritur kësaj. Po luftojnë… Ç’po
bëni ju për t’iu kundërvënë kësaj vale të tmerrshme terrorizmi? Arma jonë është
lutja. Nuk mund të bëjmë tjetër, veçse t’u japim guxim njerëzve të mos kenë frikë,
sepse, që në fillim të historisë, krishterimi ka pasur martirë e Kisha është luftuar
e vazhdon të luftohet. Pra, nuk duhet të kemi frikë, ta lëshojmë veten në duart e
Zotit. Të lutemi e të mos dorëzohemi!