Kisha është e gjallë, Jezusi, Zot i historisë: kështu, Papa, në përfundim të Takimit
Botëror të Familjeve.
Kisha është e gjallë, pavarësisht nga vështirësitë, sepse Jezusi është Zot i historisë:
me këto fjalë mund ta përmbledhim fjalimin përfundimtar të Papës në Milano, gjatë
drekës shtruar dje në kryeipeshkvi, në përfundim të Takimit Botëror të Familjeve.
Fjalët e shqiptuara nga Benedikti XVI u bënë të njohura sot, nga Salla vatikanase
e Shtypit. Papa drekoi dje me disa familje, në praninë e kardinajve Anxhelo Skola
e Dionigji Tetamanci. Ky i fundit i dorëzoi Benediktit XVI një kopje të Evangeliario,
apo Ungjillit ambrozian, realizuar nga disa artistë të mëdhenj të ditëve tona, nën
drejtimin e don Umberto Bordonit, kapaku i të cilit është stolisur me ikonën e Jeruzalemit
qiellor. Papa tha se ishte gjë e bukur që, në fund, arrihej përsëri tek Fjala e Zotit,
e cila është çelës i jetës, çelës i të menduarit, i të jetuarit. Kështu, u shpreh
me kënaqësi të dukshme Benedikti XVI, filluam e mbaruam me Fjalën e Zotit.Jemi në
klimën e jetës së vërtetë, vijoi Ati i Shenjtë, e unë desha vetëm të falënderoj për
këtë, që jetova këto ditë: përvojën e Kishës së gjallë. Nëse ndonjëherë mund të mendohet
se barka e Pjetrit është në dorë të kundërshtarëve të zorshëm, gjithsesi është e vërtetë
edhe se shikojmë që Zoti është i pranishëm, është i gjallë, është ngjallur vërtet.
Është Ai, që e ka në dorë qeverisjen e botës e zemrën e njerëzve. Kjo përvojë e Kishës
së gjallë, që jeton nga dashuria e Zotit, që jeton për Krishtin e ngjallur është,
tha në përfundim Papa, dhurata më e madhe e këtyre ditëve. Për të cilën e falënderojmë
Zotin!