2012-06-04 15:01:21

Atë Lombardi: në Milano, pamë familjen, “lajmi i mirë” i të krishterëve për botën


Akoma vazhdon jehona e Takimit VII Botëror të Familjeve, i cili përfundoi dje në Milano të Italisë, në praninë e Papës. Entuziazmi dhe dëshmia e familjeve nga të pesë kontinentet i bënë përshtypje Benediktit XVI, pasi treguan se Kisha e vërtetë, Kisha e njerëzve, Kisha e besimtarëve, është gjallë dhe gëzon shëndet të plotë. Ia drejtuam mikrofonin zëdhënësit të Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi, për ta pyetur si e përjetoi Papa Takimin e Milanos, ku qëndroi që nga 1 deri më 3 qershor:RealAudioMP3
E përjetoi me gëzim dhe me entuziazëm të madh. Madje, do të thosha se ka qenë edhe jashtëzakonisht mirë, pavarësisht nga shumëllojshmëria dhe intensiteti i impenjimeve. U ndje mëse i mirëpritur nga qyteti i Milanos, i cili tregoi për të kujdes të madh, dashuri e respekt, por sidomos gjeti një publik të madh, të gatshëm për të dëgjuar atë, që unë do ta quaja Ungjilli i familjes së sotme, një këndvështrim i krishterë për familjen si lajm i mirë, si diçka jashtëzakonisht e bukur. Jo polemikë, apo kritikë për shoqërinë e sotme, e cila, gjithsesi, i shkakton shumë probleme qëndrueshmërisë dhe vlerave të familjes, por dëshmi e bukurisë së dashurisë, së faljes së ndërsjelltë, të mirëkuptimit, të solidaritetit.
Papa përmendi edhe ata, që jetojnë dështimin e lidhjes së tyre martesore…
Sigurisht, sepse ky është edhe një nga problemet e mëdha, gjithnjë e më i përhapur në shoqërinë e sotme. Papa tregoi se merr pjesë thellësisht, e kupton sa serioze është kjo vuajtje e kjo problematikë. Benedikti XVI foli si për përshpirtëri, ashtu edhe për afërsi e shoqërim baritor; dëshmoi se e vlerëson shumë vuajtjen me fe të personave, që jetojnë në këto situata. Për mua, ky ishte një nënvizim shumë inkurajues.
Fjalët që Ati i Shenjtë u tha autoriteteve civile, vunë në dukje nevojën e etikës në politikë, temë me aktualitet të madh sot…
Papa u nis nga shën Ambrozi, shenjti i madh pajtor i Milanos, i cili ishte administrator publik para se të bëhej ipeshkëv e vuri në dukje edhe fjalët e shenjtit në magjisterin e tij, në mësimet e tij, mbi përgjegjësinë, mbi drejtësinë dhe mbi faktin se për të qeverisur mirë duhet ditur si të zgjosh dashurinë e njerëzve. Shën Ambrozi i thoshte këto duke u mbështetur në përvojën e tij konkrete si administrator publik. Ia vlen të meditojmë thellë mbi këto fjalë.







All the contents on this site are copyrighted ©.