Sot e diel, 3 qershor, Kisha kremton festën e Trinisë së Shenjtë. Gjithnjë
më 3 qershor kalendari kujton shën Karl Lvangan me shokë, martirë të Ugandës dhe shën
Klotilda, mbretëreshë e frankëve. Festa e sotme na thërret jemi bashkësi dashurie
e jete sepse Zoti nuk është vetmi e pafund, por “bashkim drite e dashurie: këtë na
kujton misteri i Njënisë dhe e Trinisë së Tënzot. Hyji është jetë e dhuruar dhe e
marrë në një dialog të amshuar ndërmjet Atit e Birit, në Shpirtin Shenjt – i Dashuruar,
i Dashur e Dashuri, siç shprehet Shën Agostini.
Të hënën më 4 qershor kalendari
do të përkujton shën Françesk Karaçiolon, meshtar, themelues i Klerikëve të Vegjël
Rregulltarë dhe e shën Kuirini, martir. Liturgjia e ditës na kujton se njeriu
i drejtë i jep lavdi Hyjit me bindjen se feja nuk është pronë e jonë personale por
dhuratë Hyjnore. Na u dorëzua që të kujdesemi për të, ashtu si vreshti u dhurohet
vreshtarëve. Ne kemi përgjegjësi për lulëzimin e vreshtit, por nuk jemi i zoti i tij,
edhe feja na është dhuruar për ta ushqyer çdo ditë besimin tonë në Zotit e dashurinë
ndaj Tij dhe të afërmit.
Të martën më 5 qershor, kalendari kujton shën
Bonifacin, ipeshkëv e martir, apostull i Gjermanisë. Liturgjia e ditës na kujton se
secili nga ne është i thirrur të japë kontributin e tij për ndërtimin e një realiteti
më të mirë, duke i ndihmuar për këtë edhe autoritetet civile.
Të mërkurën
më 6 qershor, kalendari kujton shën Norbertin, ipeshkëv i Magdenburgut, themelues
i Kanonikëve Rregulltarë Premostratens; shenjtorët Artemi e Paolina, martirë dhe shën
Klaudin, abat e ipeshkëv. Në bisedën që bëjnë saducenjtë e farisenjtë me Jezusin,
gjejmë gjithnjë të vërteta të mëdha e sot, të vërtetën se Zoti është përherë i pranishëm
në jetën tonë jo si gjykatës, as si padron, por si Atë që kujdeset gjithnjë për të
bijtë. Këtë na kujton liturgjia që do të përkujtohen të mërkurën.
Të enjten
më 7 qershor, Kisha do të kremtojë Solemnitetin e Korpit e të Gjakut të Krishtit,
që në shumicën e vendeve të botës kjo festë shtyhet për të dielën e ardhshme. Solemniteti
na nxit të reflektojmë se dashuria për Zotin nuk mund të ndahet nga dashuria për të
afërmin: janë dy faqe të së njëjtës medalje e stil i një jete, që e ka themelin e
vet tek Krishti i vdekur e i ngjallur, që na la si trashëgim dashurie, Korpin e Gjakun
e vet.
Të premten më 8 qershor, kalendari kujton shën Medardin, ipeshkëv
i Nojonit. Kisha na kujton se feja dhe tradita janë dy çelësat, pa të cilët nuk mund
ta hapim e ta lexojmë mesazhin ungjillor. Jezusi është njeri i ri, por që ecën në
gjurmët e traditës së hebrenjve, bijve të besëlidhjes së parë.
Të shtunën
që vjen më 9 qershor, bie kujtimi i shën Efremit, diakon e doktor i Kishës, e
shën Primos (Prelës) dhe i shën Feliçianit, martirë. Nuk ka rëndësi sasia e dhuratave,
por cilësia e tyre: në se japim atë që nuk na duhet, ç’shpërblim meritojmë? Por në
se dhurojmë me gjithë zemër atë që i duhet tjetrit, atëherë jeta jonë fiton vërtetë
kuptim të ri.
Të dielën e ardhshme më 10 qershor, Kisha katolike
do të kremtojë solemnitetin e Korpit dhe të Gjakut të Krishtit. Solemniteti i
Korpit e Gjakut është Eukaristia Shenjte, gostia e Pashkëve, në të cilën vet Krishti,
duke realizuar sakramentalisht Pashkët e veta, na dhuron Korpin e Gjakun e vet, të
ofruara si ushqim e pije, na bashkon me vetveten dhe na lidh ndërmjet nesh përmes
flijimit të tij shëlbimprurës. (nga Katekizmi i Kishës katolike, Compendio, 287).