2012-06-03 17:17:32

Festa e dëshmive: Papa prek me dorë gëzimin dhe vuajtjen e familjeve


E paharrueshme, edhe Festa e mbrëmshme e Dëshmive, gjithnjë në parkun e Bresos në Milano, ku qenë të pranishëm mëse 350 mijë vetë. Ndër ta, dalloheshin flamujt e kuq shqiptarë dhe njerëz me veshje kombëtare të veriut të Shqipërisë e të Kosovës. E para, që foli me Papën, i cili iu përgjigj pesë pyetjeve, ishte një vajzë vietnameze:RealAudioMP3
“Ciao, Papë. Jam Kat Tien, vij nga Vietnami. Jam shtatë vjeç… kam shumë qejf të mësoj diçka për familjen tënde, kur ishe i vogël si unë…”
Papa: “Faleminderit vogëlushe… janë çaste të paharrueshme… ishim një zemër e një shpirt i vetëm… edhe në kohë shumë të vështira, sepse ishte kohë lufte, më parë diktatura, pastaj varfëria… Por dashuria ndërmjet nesh, gëzimi edhe për gjërat më të thjeshta ishte i madh, prandaj mundëm t’i kapërcenim e t’i duronim edhe këto gjëra. Më duket se kjo është shumë e rëndësishme: edhe gjërat e vogla na kanë dhënë gëzim të madh… sepse shihnim se mirësia e Zotit pasqyrohej në prindërit e në vëllezërit. Me thënë të vërtetën, kur përpiqem të imagjinoj si është Parajsa, mendoj për rininë time, për fëmijërinë… Në këtë kuptim, shpresoj të kthehem ‘në shtëpi’, kur të jem në botën e përtejme…”.
Çiftit të të fejuarve nga Madagaskari, të frikësuar nga martesa aq sa nuk e marrin akoma këtë vendim të rëndësishëm për jetën, Benedikti XVI u foli për ndryshimin ndërmjet dashurisë së vërtetë e dashurisë së parë, asaj të fillimit, që mund të vazhdojë, ose jo. Është si vera e parë e dasmës së Kanës, tha Papa, e mirë, por nuk zgjat deri në fund. “Vera e dytë”, ajo që duhet të fermentojë, të piqet nga ndërhyrja e Krishtit, është më e mirë e zgjat deri në fund të dasmës. Këtë duhet të kërkojmë!
Dy bashkëshortë nga Greqia shpalosën para Atit të Shenjtë pasojat e krizës dramatike, që ka përfshirë vendin. Ç’duhet bërë për të mos e humbur shpresën:
“Të dashur miq, faleminderit për këtë dëshmi, që preku zemrën time e zemrën e të gjithëve. Si mund të përgjigjemi? Fjalët nuk mjaftojnë. Të flasim më parë për politikën: më duket se duhet të rritet ndjenja e përgjegjësisë në të gjitha partitë, të cilat nuk duhet të premtojnë gjëra, që nuk arrijnë t’i realizojnë, nuk duhet të kërkojnë vetëm votat për vete, por të marrin përsipër përgjegjësinë për të mirën e të gjithëve. Duhet kuptuar se politika është gjithmonë edhe përgjegjësi njerëzore e morale para Zotit e para njerëzve… Megjithatë… ç’mund të bëjmë ne? Ndoshta, vëllazërime ndërmjet qyteteve, familjeve, famullive mund të ndihmojnë… E të jeni të sigurtë se unë e shumë të tjerë lutemi për ju e kjo lutje nuk është thjesht fjalë, por ia hap zemrën Zotit e kështu, frymëzon edhe gjetjen e zgjidhjes”.
Dy bashkëshortë amerikanë me gjashtë fëmijë, nënvizuan vështirësitë për të pajtuar punën me familjen. E Papa iu drejtua punëdhënësve me kërkesën për ta ndihmuar familjen t’i jetojë si duhet kohën e punës e kohën e festës, me respekt të veçantë për të dielën.
Benedikti XVI iu rikthye problemit të të divorcuarve, pas pyetjes së çiftit brazilian për dramën e katolikëve të divorcuar e të rimartuar. Pranoi se Kisha nuk ka receta të thjeshta për këtë, por mund të bëjë shumë për t’u treguar këtyre çifteve dashurinë e saj e të bashkësisë, pjesë e së cilës janë edhe të divorcuarit. Në fund, një çift nga Çento, në zonën e tërmetit të Emilia Romanjës, në Itali, përqafoi Papën dhe mori me vete bekimin e Benediktit XVI dhe sigurinë se Kisha, Karitasi, famullitë, të gjitha strukturat nuk do t’i lënë vetëm.

Para se të nisej për në Romë, Papa u takua sot pasdite me anëtarët e Fondacionit Milano Familje 2012 dhe me organizatorët e vizitës triditore në qytetin italian. Po në kryeipeshkvi, ku u zhvillua takimi, Benedikti XVI drekoi me përfaqësuesit e familjeve të botës, në një atmosferë të përzemërt, ku u ndjenë si në shtëpinë e tyre, familje nga Iraku, nga Kongo, nga Meksika, nga Spanja, nga Australia, nga SHBA-të e nga Italia.








All the contents on this site are copyrighted ©.