2012-06-03 17:18:59

Editoriali i atë Federiko Lombardit: Festa e familjeve


Pikërisht, Takimit të familjeve në Milano, me temë “Familja, puna dhe festa” ia kushton komentin javor, zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi. Ta dëgjojmë:RealAudioMP3
“Kam kremtuar 50-vjetorin e martesës së dy bashkëshortëve, që vërtet janë dashur shumë e duhen shumë edhe sot, si e më shumë se ditën e parë. Është një nga festat më të bukura, ku kam marrë pjesë. Këta bashkëshortë kanë marrë dhuratën e qëndrimit së bashku për shumë kohë, të tjerë janë ndarë më parë – fizikisht – nga vdekja, por kanë jetuar të njëjtën përvojë, megjithëse për një kohë më të shkurtër. Jo çdo gjë ka qenë e lehtë, por kurrë nuk u ka munguar vullneti për ta bërë rrugën së bashku e, kurrë nuk është tharë vena e dashurisë dhe e bashkimit të tyre të thellë. Është diçka e mundur, është diçka reale, mund ta gjejmë mes nesh. Mendoj se është përvoja më e bukur, që u ofrohet grave dhe burrave të kësaj toke, në kuadrin e gjërave normale të jetës; përvojë e plotë, njerëzore, pra, fizike e shpirtërore njëkohësisht, që natyrshëm, ka prirjen të përhapet, duke dhënë jetë e gëzim përreth.
Ç’mund t’u urojmë më mirë se kaq të rinjve dhe personave, që i duam? A nuk duhet t’i ndihmojmë vërtet të ecin në këtë drejtim e të kenë dëshirë për ta realizuar këtë ideal, nëse jo në mënyrë të përsosur, të paktën aq sa munden? Pse duhet të besojnë se është diçka e pamundur, jo e kësaj bote?
Ndoshta, shumë vetë e kanë dëshiruar e nuk e kanë marrë këtë dhuratë, por vuajtja e zhgënjimi nuk duhet të na ndalojnë të vazhdojmë të ecim së bashku në drejtimin e duhur, sepse vetëm kështu kemi më shumë shpresë e mundësi të arrijmë. E të gjithë mund të gëzojmë për dashurinë e vërtetë, edhe kur ajo jetohet nga të tjerët. Pra, nuk duhet ta ulim vlerën e dashurisë së thellë e besnike ndërmjet një burri e një gruaje: kur e shohim dhe e gjejmë atë, na bëhet e qartë se është një nga gjërat më të bukura të botës. Kush përfiton nga mosnjohja e saj?
Kush e kërkon lumturinë në rrugë të tjera është i lirë ta bëjë këtë, por duhet të vijë e të na tregojë se ç’ka gjetur në to. Kjo është udha kryesore, që u dhurohet shumicës së burrave e të grave të kësaj toke, në të gjitha epokat. Për të mirën e tyre, për lumturinë e tyre, duhet t’i ndihmojmë ta gjejnë e ta përshkojnë për gjithë kohën, që u jepet në këtë botë. E ndoshta kështu, do ta kuptojmë më mirë se si vazhdon jeta në tjetrin. Dashuria: ky është kuptimi i festës së Milanos”.







All the contents on this site are copyrighted ©.