2012-06-03 17:21:53

E Shenjtnueshmja Trini dhe dashuria


Kisha Katolike kremton sot Trininë e Shenjtë, festën e Zotit të vetëm në Tri Vetje: Ati, Biri e Shpirti Shenjt. Është një nga misteret më të mëdha, me të cilat ndeshet besimtari, i cili e ka të qartë se kuptimi i tij i kapërcen mundësitë e trurit. Askush nuk e ka parë Zotin pa qenë i vdekur, siç na përsërit vazhdimisht Bibla. Por si mund të besojmë se ky Zot është njëkohësisht një e tre? E zemra e fesë së krishterë është pikërisht besimi në Trininë e Shenjtë.
Njihet nga të gjithë anekdota e shën Augustinit, i cili, duke u munduar ta kuptojë këtë mister, u ndesh me engjëllin e Zotit, që me një guackë, merrte ujë nga deti dhe e çonte në një vrimë të vogël në rërë. “Çfarë bën o vogëlush?” – e pyeti shën Augustini. “Dua ta zbraz detin e të mbush këtë vrimë” – i tha engjëlli. Duke qeshur, ipeshkvi i Iponës i vuri në dukje atij, që mendonte se ishte vetëm një fëmijë i vogël, se deti nuk mund të hynte në atë vrimë. E atëherë engjëlli: “E si mundesh ti, krijesë e vogël e tokës, me inteligjencën tënde të kufizuar, që s’po kupton as këtë, të kuptosh një mister kaq të lartë, si ai i të Shenjtnueshmes Trini?”
Qe pikërisht Shën Augustini, që shkroi veprën e famshme “De Trinitate”, në të cilën e siguron njeriun e etur për ta kuptuar këtë mister se mënyra e vetme është t’ia hapë zemrën dashurisë: “E shoh dashurinë – shkruan shenjti – e për sa mundem, e fiksoj në të vështrimin e Shpirtit Shenjt e besoj në Shkrimin Shenjt, që thotë: ‘Zoti është dashuri, e kush banon në dashurinë, banon në Zotin’. Por kur shoh dashurinë, nuk e shoh edhe Trininë në të, thotë ndokush. Por s’është ashtu, e sheh Trininë, vetëm nëse sheh dashurinë”.
Atëherë, si t’i ushtrojmë sytë për të parë dashurinë? Si të jemi të bashkuar me të afërmit me lidhje, që s’mund të shkatërrohen, duke ndërtuar atë “bashkim”, atë unitet në Kishë, që pasqyron fytyrën e Trinisë së Shenjtë? Në një predikim për kushtimin e një kishe, shën Augustini shpjegon si duhet ta ndryshojmë vetveten për të ndërtuar brenda nesh atë banesë, të denjë për Zotin e jashtë nesh, kishën e gurtë, të fortë e mikpritëse, që është imazhi i Kishës me mish e gjak, që në të vërtetë ne e formojmë përmes dashurisë së Atit të përbashkët.
“…ne vetë jemi shtëpia e Zotit. Ndërtimi i kësaj banese është i lodhshëm, por kushtimi i saj në fundin e kohërave është motiv për gazmend… Bëhemi shtëpi e Zotit vetëm kur mbruhemi me dashuri. Nëse trarët e gurët nuk do të kishin lidhje me njëri-tjetrin sipas një rendi të caktuar, nëse nuk do të vendoseshin drejt e shtrënguar, nëse do të mungonte kohezioni ndërmjet tyre, nëse, në një farë mënyre, nuk do të duheshin, askush nuk do të dëshironte të banonte brenda shtëpisë. Por kur e di se gurët e trarët renditen qëndrueshëm e mirë, hyn i sigurtë, nuk ke frikë se mos bie brenda shtëpia”.
Jeta e të Pagëzuarit është jetë trinitare, është jetë me Krishtin. Ati është Zoti, që na do e drejt të cilit shkojmë; Biri është Zoti-me-ne, Emanueli; Shpirti është Zoti, që i bashkon njerëzit, në të njëjtin çast në të cilin bashkon Hyjin me ne e na bashkon ndërmjet nesh, në mënyrë që distanca me të Gjithpushtetshmin, reale dhe e nevojshme, të mos shkaktojë as vuajtje as mungesë.







All the contents on this site are copyrighted ©.