Këtë të diel Kisha Katolike kremton festën e Trinisë Shenjte. E në këto pak rreshta
do të trajtojmë fjalën “Trini” sipas Besëlidhjes së Re. Të gjithë e dimë se Trinia
Shenjte përbëhet nga tri Vetje, Ati, Biri dhe Shpirti Shenjt, por ku e ka origjinën
termi e ç’kuptim ka për të krishterët?
Fjala “Trini” nuk ndodhet në Besëlidhjen
e Re të Biblës e nuk është e mundur të gjejmë në faqet e saj, atë teologji trinitare
të ndërlikuar e të thelluar, që u zhvillua sidomos në shekujt IV-V p.K. e më vonë.
Por, ajo e ka rrënjën pikërisht në shkrimet e Besëlidhjes së Re të Biblës, ku përvijohen
marrëdhëniet, që lidhin ndërmjet tyre Atin, Birin e Shpirtin Shenjt. Në planin gjuhësor,
kujtojmë se Zoti Atë shpesh thirret “ho Théos”, pra Hyj i mirëfilltë, Jezu Krishti
quhet Biri i Hyjit, ose edhe “Kyrios”, “Zot”, ndërsa Shpirti Shenjt përcaktohet edhe
si “Paràclito”, ose “Mbrojtësi/Ngushëlluesi”. Trinia Shenjte është në bazën e pagëzimit
të krishterë, në frazën që thotë Krishti gjatë dukjes së Tij të fundit pas ngjalljes,
përshkruar në Ungjillin sipas Mateut. Jezusi u thotë dishepujve të “pagëzojnë në emër
të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt” (Mt 28,19). Duket qartë se në këto fjalë
pasqyrohet një besim më i lashtë në Trininë Shenjte nga ana e Kishës. Shën Pali Apostull
përvijon një teologji të vetën mbi Trininë Shenjte, kur, për shembull, thotë se dhuratat
e ndikuara mbi bashkësitë e krishtera janë si të Shpirtit, si të Krishtit, ashtu edhe
të Atit, kuptuar si tri Vetje në një, pavarësisht nga ndryshimet: “Dhuratat janë të
ndryshme, por Shpirti Shenjt është i njëjtë – edhe shërbesat në përhapje të Ungjillit
janë të ndryshme, por Zoti është i njëjtë – po edhe mënyrat e veprimit janë të ndryshme,
por Hyji është i njëjtë – Ai bën gjithçka në të gjithë” (1 Kor 12,4-6). Bashkimi
ndërmjet besimtarëve, pavarësisht nga shumëllojshmëria e tyre, modelohet dhe e ka
bazën në unitetin trinitar: “Një Trup i vetëm, një Shpirt i vetëm, një shpresë e vetme…Një
Zot, një fe, një pagëzim, një Hyj i vetëm, Ati i të gjithëve” e më parë Shën Pali
i referohet “njësisë së Shpirtit” (Ef 4,3-6). Edhe sot e kësaj dite, në fillim të
kremtimit eukaristik, shkëmbejmë përshëndetjen me të cilën Shën Pali mbyll Letrën
e tij të dytë drejtuar Korintianëve: “Hiri i Zotit tonë Jezu Krishtit, dashuria e
Hyjit dhe bashkësia me Shpirtin Shenjt, qoftë me ju të gjithë” (13,13). Të shumta
janë pjesët ku flitet për “Shpirtin e shenjtërimit”, për “Jezu Krishtin Zotin tonë”
dhe për “Hyjin, Ati ynë” (Rom 1,4-7; shih edhe 15,16-17; 15,30; 1 Kor 2,10-16; Gal
4,6; Ef 1,3-14; 2,18-22; Tim3,4-6 e kështu me radhë). Edhe Shën Pjetri e hap Letrën
e tij të parë me fjalë, që i referohen Trinisë Shenjte, kur shkruan: “në saje të Provanisë
së Hyjit Atë me shenjtërimin e Shpirtit Shenjt, për të dëgjuar Jezu Krishtin…” (1Pj
1,2). Pastaj, Shën Gjoni Apostull, në Letrën e tij të parë, na jep një tekst, që është
i bërë i famshëm në traditën e krishterë. Në atë pjesë flitet për “Jezusin, Biri i
Zotit” dhe për Shpirtin Shenjt që e dëshmon; pastaj lexohet: “Tre janë ata që dëshmojnë:
Shpirti Shenjt, uji dhe gjaku. Këta të tre bëjnë një dëshmi të vetme” (1 Gjn 5,7-8). Përkthimi
i lashtë latin i shën Jeronimit, përdorur me shekuj në liturgji, na ofronte një tekst
të ndryshëm, me karakter të qartë trinitar, që njihet si “paragrafi jeronimian”. Megjithëse
nuk i përgjigjet origjinalit, shpreh qartë fenë e Kishës në shekujt e parë. Nga Shkrimet
e Shenjta, ajo pati nxjerrë dhe riformuluar teologjinë e saj trinitare: “Tre janë
ata që dëshmojnë në qiell – thotë shën Jeronimi në përkthimin që i ka bërë Shën Gjonit
– Ati, Fjala e Shpirti Shenjt e këta të tre janë një. E tre janë ata që dëshmojnë
në tokë: Shpirti, uji dhe gjaku e këta të tre bëjnë një dëshmi të vetme”. Mbetet
gjithnjë mister se pse Zoti është një dhe tre njëkohësisht. Tregohet se një ditë,
Shën Agostini, dijetar i madh i Kishës, ishte shumë i mërzitur, sepse nuk arrinte
ta kuptonte misterin e Trinisë Shenjte. Ndërsa mendonte këto gjëra dhe ecte buzë detit,
sheh një fëmijë, që bënte diçka shumë të çuditshme: kishte hapur një vrimë në rërë
dhe me një lugë, shkonte në det, e mbushte me ujë dhe e derdhte në vrimë. E kështu,
vazhdimisht. Shenjti i afrohet e me delikatesë e pyet: “Ç’po bën?” E djali: “Dua të
derdh gjithë ujin e detit në këtë vrimë”. Pasi dëgjoi këtë, shën Agostini i tha: “E
admiroj dëshirën për ta mbledhur në një vend krejt detin. Por si mund t’ia arrish
kësaj? Deti është pa fund, ndërsa vrima është e vogël. E pastaj, me këtë lugë…nuk
mjafton gjithë jeta”. E djali, që ishte një engjëll i dërguar nga Zoti, iu përgjigj:
“Po ti, si mund të pretendosh ta mbash në atë kokën tënde të vogël misterin e pafundmë
të Zotit?”. Shën Agostini e kuptoi se Zoti është mister i madh. E kuptoi edhe se Ati,
Biri e Shpirti Shenjt ishin kaq shumë të mbushur me dashuri, sa të donin pa dyshim
të qëndronin bashkë.