2012-06-02 19:09:58

Papa në Milano. Atë Lombardi: ngjarje e gëzuar, që të bën ta shikosh me shpresë ardhmërinë e të rinjve.


Benedikti XVI është i kënaqur për ngrohtësinë e mikpritjen, me të cilën po rrethohet në Milano: këtë pohoi drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit, atë Federiko Lombardi, gjatë një takimi me shtypin, në kryeqendrën lombarde. E intervistuam:
Përgjigje: - Sigurisht kjo është e dukshme, që nga qëndrimi i njerëzve përgjatë rrugëve, deri tek takimet e mëdha. Janë takime të zgjedhura mirë, shumë domethënëse: Sheshi i Katedrales është vendi, në të cilin qyteti i Milanos takohet; e jo vetëm qyteti i Milanos, parë si bashkësi kishtare, por edhe si bashkësi civile, në të gjitha përmasat e veta, me të gjitha problemet e të gjitha shpresat. E pastaj “Teatri la Skala” që është vërtet tempull kulture për këtë qytet, i lidhur thellësisht me historinë e Milanos, me çastet e trishtuara e me ato të bukura. Prej këndej, nuk ishte ndonjë çast me karakter shekullar, por çast kulturor e shpirtëror, në të cilin edhe tema e solidaritetit për tërmetin u theksua shumë mirë, si nga mikpritësit, në fillim, ashtu edhe, natyrisht, nga Papa, në fjalimin e tij përfundimtar. E pastaj takimi me meshtarët, rregulltarët e rregulltaret në katedralen e Milanos, ishte diçka që bëri përshtypje të thellë: nuk mund të hysh në katedralen e Milanos, pa u prekur në shpirt përballë madhështisë e historisë së përshpirtërisë si dhe të bashkësisë kishtare, që mbretëron në këtë qendër, në këtë zemër të kryedioqezës më të madhe të Italisë e të Evropës. E pastaj, akoma, entuziazmi në Stadiumin e San Siros, të cilin të gjithë jemi mësuar ta shikojmë gjatë ndeshjeve të futbollit e që shndërrohet, një herë në vit, këtë herë në mënyrë të posaçme përmes pranisë së Papës, në një vend feste e entuziazmi shpirtëror, shprese e gëzimi për rininë. Kjo është vërtet shumë e bukur; e është i bukur edhe fakti që qyteti e vuri në dispozicion këtë vend pikërisht për të shikuar pëpara, së bashku me Papën, kah ardhmëria të rinjve tanë...

Pyetje: - Sonte Benedikti XVI do të jetojë çastin kulmor të Takimit Botëror me familjet, kështu, përzemërisë së Milanos, do t’i shtohet edhe dashuria e të gjitha familjeve të botës... Shumë prej tyre vijnë nga Amerika Latine e vende të tjera, që kanë bërë përpjekje të mëdha, për të qenë sonte këtu, me Papën: ç’përshtypje bën kjo?

Përgjigje: - Vlera e këtyre takimeve të mëdha botërore, që Kisha është në gjendje t’i organizojë pikërisht pse është Universale, qëndron në faktin se janë gjithnjë shumë pasuruese, ndihmojnë për të zgjëruar horizontet e edhe për t’u ndjerë të inkurajuar, nga që pjesëmarrja në fe e në impenjimin e krishterë e human të të tjerëve, është gjithnjë inkurajim për të gjithë ne, kur mundemi t’i jetojmë këto ngjarje së bashku. Përvojat familjare janë nga më të bukurat, kur në to bëhen një përshpirtëria, humaniteti, ndjenjat, fryma krijuese, gëzimi i të jetuarit së bashku e aftësia për t’i bërë edhe të tjerët pjesëmarrës në dashuri. Prej këndej mund të themi se tematikat familjare, të jetuara së bashku, krijojnë një klimë gëzimi, shprese e besimi, pavarësisht nga të gjitha vështirësitë, që mund të takohen. Ta jetosh këtë klimë së bashku, në nivel botëror është një gjë shumë e bukur e një nga dhuratat, që Kisha e merr nga Zoti. Besoj se pikërisht kjo është gjëja kryesore, që duhet të urojmë e që Papa përpiqet ta nxisë e ta ndihmojë me ardhjen e tij e me fjalën e tij: t’i paraqitet botës mesazhi i shpresës së madhe e i dashurisë së madhe, përmes përvojës së familjes së krishterë, si ofertë gëzimi, shprese e dashurie për të gjithë.







All the contents on this site are copyrighted ©.