2012-06-02 18:24:33

Më 2 qershor kalendari kujton shën Marçelinin e Pjetrin


Më 2 qershor kalendari kishtar përkujton Shën Marçelinin dhe Shën Pjetrin, martirë.Shenjtët martirë Marçelini, meshtar e Pjetri, ekzorcist, siç na njofton Papa Shën Damasi, qenë dënuar me vdekje gjatë persekutimeve të perandorit romak Dioklecianit kundër të krishterëve. Që të dy ishin të krishterë të bashkësive të para kishtare të Romës.
Po sa u zbulua që kishin dëshmuar e përqafuar fenë e Krishtit, u zvarritën jashtë qytetit, në një vend që njihet me emrin “Dy Lasuret”, gjatë Rrugës Labikana, pranë trojeve të lateranëve, pikërisht atje ku sot lartohet bazilika e famshme romake e Shën Gjonit në Lateran, njëra nga bazilikat patriarkale romake e seli e ipeshkvit të Romës.
Këtu i detyruan t’i bëjnë varrin vetes duke e gërmuar me duar. Si u bë gati gropa, ua prenë kokat në zonën Torpinjatara (Torpignattara) rrugës Kazilina (Casilina) më 2 qershor të vitit 302. Trupat e tyre ranë në varrin e hapur e u mbuluan sakaq me dhé. Disa ditë më pas, matrona e përshpirtshme, Lucilla, i mori trupat e tyre dhe i varrosi me nderim.
Perandori Kostandin, sipas dëshirës të së ëmës, ngriti mbi eshtrat e martirëve një bazilikë madhështore e po aty, ndërtoi mauzoleun, ku vendosi trupin e Elenës, para se ta çonte për të pushuar në banesën e fundit, në Kostandinopojë.







All the contents on this site are copyrighted ©.