2012-06-02 17:05:03

Milano: Papa në takimin me autoritetet. Cilësitë e atij që qeveris: drejtësia e dashuria për lirinë.


Fjalë të qarta e të forta foli Papa në takimin, mbajtur në kryeipeshkvi te Milanos, me autoritetet civile e imprenditoriale, shprehje e respektit edhe e nderimit të institucioneve për Selinë Apostolike dhe për Benediktin XVI, si bari i Kishës Universale.
Papa kujtoi Shën Ambrozin, qeveritar konsullar i provincave të Liguries e të Aemilias, me seli në qyetin perandorak të Milanos, ku takohen shumë udhë evropiane. Para se të zgjidhej, papritmas e kundër dëshirës së tij, ipeshkëv i Mediolanum, kujtoi Papa, ai kishte qenë i përgjegjës për rendin publik e gjykatës. Qeveritar i ekuilibruar e mendjendritur, diti t’i përballojë problemet me urti, mirëkuptim e autoritet, duke sheshuar kundërshtitë e duke kapërcyer përçarjet.
Papa u ndalua posaçërisht mbi disa nga parimet themelore, mbi të cilat u mbështet Ipeshkvi shenjt, me vlerë aktuale për të gjitha kohët:
“Shën Ambrozi na kujton se institucioni i shtetëror buron aq mirë nga Zoti, sa ai, që e ushtron, është vetë ministër i Zotit. Këto fjalë mund t’i duken të çuditshme njerëzve të mijëvjeçarit të tretë, e megjithatë, të kujtojnë qartë të vërtetën themelore për njeriun, bazë e bashkëjetesës shoqërore: asnjë pushtet njerëzor nuk mund të konsiderohet hyjnor, prej këndej, asnjë njeri nuk mund të jetë zot i një njeriu tjetër. Ambrozi ia pati kujtuar me guxim këtë perandorit, duke i shkruar: “Edhe ti, o perandor august, je njeri” (Epistula 51,11).
Benedikti XVI vijoi t’u kujtonte të pranishmëve edhe elementet e tjera të qeverisjes së mirë:
Cilësia e parë e atij që qeveris, është drejtësia, virtyti më i rëndësishëm publik, sepse ka të bëjë me të mirën e mbarë bashkësisë. E megjithatë nuk mjafton. Ambrozi e shoqëron me një cilësi tjetër: me dashurinë për lirinë, element që i dallon qartë qeveritarët e mirë, nga ato të këqijtë. ‘Të mirët e duan lirinë, të mbrapshtët duan robërinë” (Epistula 40,2).
E pikërisht liria ishte në qendër të vëmendjes, në fjalët e Papës:
“Liria nuk është privilegj vetëm për disa njerëz, është e drejtë, që u përket të gjithëve, e drejtë shumë e çmuar; pushteti civil e ka për detyrë ta garantojë”.
Këtë theksoi Ati i Shenjtë e, në vijim, kujtoi se liri nuk do të thotë sundim i një njeriu të vetëm, por përgjegjësi e secilit. E këtu shohim edhe një nga parimet e laicitetit të shtetit. Kështu të gjithë mund të japin mendimin e tyre për jetën e përbashkët, duke respektuar tjetrin e ligjet, që synojnë të mbrojnë të mirën e përgjithshme.
Më pas Papa foli edhe për bazën e ligjit të Shtetit, që duhet ta gjejë përligjjen e forcën në ligjin natyror, duke u vënë gjithnjë në shërbim të njeriut e të familjes:
Shteti është i thirrur ta njohë identitetin e veçantë të familjes së bazuar mbi martesën, që i hap rrugën jetës së re, e edhe të drejtën parësore të prindërve për edukimin dhe formimin e lirë të fëmijëve, sipas projektit edukativ, që ata e gjykojnë më të vlefshëm”.

“Nuk ka drejtësi për familjen, në se shteti nuk siguron lirinë e edukimit, për të mirën e përgjithshme të shoqërisë.
E, në shërbimin e shtetit për të mirën e përgjithshme, na duket me vlerë bashkëpunimi konstruktiv me Kishën, pa ngatërruar rolet e ndryshme e të dalluara të të dyja palëve, por edhe pa harruar ndihmën, që Kisha i ka dhënë e mund t’i japë edhe në të ardhmen shoqërisë, me përvojën, doktrinën, traditën, institucionet e veprat e saj, në shërbim të popullit”.
Në përfundim të fjalimit, një parim i fundit i Shën Ambrozit: atyre, që duan të bashkëpunojnë me qeverinë a me administratën publike, ai u kërkon të duan e të duhen, sepse “Politika fisnikërohet plotësisht, vetëm duke u bërë formë e lartë e dashurisë”. Thënë me dy fjalë, Benedikti XVI kujtoi detyrat e Shtetit e të autoriteteve civile, në favor të njeriut e të familjes si dhe rëndësinë e bashkërendimit të përpjekjeve të autoriteteve civile me ato kishtare.







All the contents on this site are copyrighted ©.