2012-06-02 17:04:39

FAMILY 2012: 80 mijë të rinj në stadiumin Meaca. Papa: synoni idealet e larta, jini shenjtorë, jo egoistë.


Takimi i parë i mirëfilltë me familjet, ishte ai me të rinjtë, që sapo e kanë marrë ose përgatiten ta marrin Sakramentin e Krezmimit. Festë e madhe rinore, me këngë e valle vërtet mahnitëse, por kryesisht me karakter katekistik. Në Stadiumin “Meaca” sot u dha “Shfaqja e Shpirtit”. Benedikti XVI, i pritur me brohoritje të stuhishme, përshkoi gjithë fushën me papamobilin e vogël elektrik e pastaj zuri vend në tribunën, që i ngjiste barkës, mbi të cilën shkruhej “Dil në det të hapur me Pjetrin”. Nisi menjëherë shfaqja, përgatitur nga të rinjtë, plot jetë, gjallëri, muzikë, tinguj.
Papa u kujtoi të rinjve rrugën e ndjekur në përgatitjen për Sakramentin, që këtë vit quhej “Shfaqja e Shpirtit Shenjt”, e edhe vetë domethënien e Krezmimit, përmes të cilit të rinjtë bëhen pjesëtarë të familjes së Zotit, të krishterë, gjymtyrë të Kishës. U kujtoi edhe dhuratat e Shpirtit Shenjt, duke nisur nga dija, e cila e mëson njeriun të zbulojë sa i mirë e i madh është Zoti, që e bën jetën plot shije e të riun, kripë e tokës.
Më pas kujtoi dhuratën e intelektit, për të kuptuar thellësinë e Fjalës së Zotit e të vërtetat e fesë;
dhuratën e këshillit, që të prin në zbulimin e planit të Zotit për jetën;
dhuratën e forcës shpirtërore, për të fituar mbi tundimet e së keqes e për të bërë mirë gjithnjë, edhe kur kjo kërkon flijime;
vjen pastaj, dhurata e shkencës, jo në kuptimin teknik, por në kuptimin më të thellë, që të mëson të zbulosh në gjithësi, gjurmët e Zotit; të kuptosh se Zoti u flet kohëve, më flet mua e më mëson t’i jap jetë punës së përditshme, me fjalën e Ungjillit;
një dhuratë tjetër, është ajo e dhembshurisë, e cila mban gjallë në zemër flakën e dashurisë për Atin tonë, që është në qiell, në mënyrë që t’i lutemi çdo ditë me besimin e dashurinë e bijve të dëshiruar;
dhurata e shtatë dhe e fundit, është frika e Tënzot, që nuk do të thotë të trembesh prej Tij, por të kesh për Të respektin më të thellë, ta mirëpresësh vullnetin e Zotit, plani i vërtetë për jetën e secilit nesh.
Jeta e krishterë është shtegtim, ngjitje mbi mal, prej këndej jo fort e lehtë, por të ngjitesh mbi mal është diçka tepër e bukur; e edhe më e bukur bëhet, kur ngjitesh me Jezusin, kur ushqehesh me Korpin e Gjakun e Tij në Eukaristi.
Në përfundim Papa i siguroi të rinjtë se Jezusi ta mbush plot zemrën për gjithë jetën dhe i porositi të synojnë idealet më të larta, të jenë shenjtorë, sepse është plotësisht e mundur të jesh shenjt në çdo moshë, si Domeniko Salvio e Maria Goreti. Piktori i madh i ardhshëm, nis të pikturojë që fëmijë - u kujtoi të rinjve Papa.







All the contents on this site are copyrighted ©.