2012-06-02 19:04:40

Atë Zef Valentini e vlerësimi tij në Shqipëri


Një prej figurave më të shquara kishtare, albanologjike e historike Atë Zef Valentini, jezuit, u dekorua më 8 majin e kaluar, pas vdekjes, me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” nga Presidenti Shqipërisë, Bamir Topi, për kontributin tejet të rëndësishëm si historian, albanolog, teolog, filozof e studiues i shquar. Në ceremoninë e organizuar në Tiranë pranë Presidencës në Tiranë, Kreu i Shtetit Shqiptar theksoi se At Zef Valentini jetoi në një kohë të vështirë për Shqipërinë dhe shqiptarët, përjetoi nga afër të gjitha ngjarjet historike që shoqëruan hedhjen e themeleve të shtetit shqiptar, eksperimentimet me sistemet qeverisëse, përfshirë pushtimet e huaja dhe vendosjen e sistemit komunist. “Me një formim profesional elitar, At Valentini pati një angazhim direkt më se 20-vjeçar në jetën publike e kishtare shqiptare dhe gati 30-vjeçar nga Italia, duke qenë njëherësh një mësues shembullor, studiues i aftë dhe krijues me kontribute të mëdha në dokumentimin e historisë dhe traditës zakonore ende të panjohur sa duhet për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ai ishte njëherësh krijues dhe përkthyes, historian dhe filozof, një personalitet fetar dhe publik, albanolog dhe figurë e përmasave të larta akademike. Valentini është themelues e drejtues i “Qendrës Ndërkombëtare të Studimeve Shqiptare” në Universitetin e Palermos, dhe për vite të tëra një nga emrat më të spikatur të mbrojtjes dhe promovimit të kulturës shqiptare në botë”, tha Topi.
Sipas tij, figura e tij nuk u zbeh nga përpjekja e sistemit totalitar për të shuar dhe denigruar atë dhe personalitete të tjera të shquara me veprimtari atdhetare dhe shkencore. Veprat e tij u lanë në hije, ashtu siç regjimi veproi me Fishtën, Koliqin dhe mendimtarë të tjerë të kalibrit të lartë të së njëjtës periudhë. “Në trashëgiminë e tij akademike Zef Valentini ka lënë një numër të madh veprash shkencore, me vlerë të jashtëzakonshme historike dhe politike.
Kërkimet e tij shkencore mbi historinë e hershme shqiptare, historinë e të drejtës zakonore dhe ligjeve të traditës, aktet juridike të periudhës veneciane apo kohës së Skënderbeut, si dhe studime të tjera të avancuara ballkanologjike e bizantine, – janë një pasuri e madhe kombëtare, një kontribut me vlera të rralla, një thesar mendimi e kërkimi për brezat e sotëm, për njohjen më të mirë dhe më profesionale të periudhave të hershme historike të shqiptarëve dhe organizimeve të tyre politike, juridike dhe shoqërore. Kjo krijimtari e bën At Zef Valentinin të veçantë, e dallon atë nga figurat e tjera krijuese të së njëjtës tematikë dhe e bën veprën e tij të denjë për t’u nderuar sot edhe zyrtarisht, me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu””, tha Topi. Sipas tij, duke i nderuar këto personalitete ne bëjmë gjysmën e punës, gjysma tjetër kërkon një reflektim shoqëror për t’u dhënë mundësi brezave më të rinj të njohin nga afër trashëgiminë e tyre profesionale, veprat e tyre krijuese.
Në ceremoni, dhënia Urdhrit “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” atë Zef Valentinit, iu dorëzua sivëllezërve të tij jezuitë, që sot janë të pranishëm në Shqipëri e vijon misionin që pat ndërpre ai. E një ndër jezuitet e pranishëm më 8 majin e kaluar ishte edh atë Mario Imperatori, Drejtor i Institutit Filozofik e Teologjik pranë Seminarit ndërdioqezan në Shkodër. Ta dëgjojmë intervistën që realizoi dom David Gjugja me të mbi këtë ngjarje kushtuar figurën poliedrike të atë Zef Valentinit.........RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.