2012-06-01 16:19:46

Siri: kardinali Turkson kërkon rrugë diplomatike për të shmangur rrezikun e luftës ndërkombëtare


“Mbrojtja e popullsisë është detyra e parë e qeverisë. Lutem që qeveria siriane t’ia vërë veshin të dërguarit të posaçëm, Kofi Annan, i cili po punon shumë për të rivendosur paqen në Siri. Nuk mund të krijojmë rrezikun e një lufte ndërkombëtare, si ajo në Libi”. Deklarata, dhënë agjencisë Sir, është e kardinalit Peter Turkson, kryetar i Këshillit Papnor të Drejtësisë e Paqes. Kardinali foli në përfundim të konferencës së shtypit, që shënoi mbylljen e simpoziumit me temë “Sfida të reja për katolikët konstruktorë të paqes”, organizuar, në Vatikan, nga selia e dikasterit, në bashkëpunim me Caritas Internationalis, me Rrjetin katolik për sigurimin e paqes dhe Institutin Kroc për studime ndërkombëtare mbi paqen pranë Universitetit ‘Notre Dame’ në SHBA. Kardinali Turkson kujtoi hidhërimin e thellë të Papës për masakrën e kohëve të fundit në Hula, ku humbën jetën 180 vetë, ndërmjet të cilëve, edhe shumë fëmijë.
Duhet të bëjmë ç’është e mundur për të shmangur rrezikun e një lufte të re ndërkombëtare, nënvizoi kardinali ganez, bashkatdhetar i Kofit Annan. Duke pasur parasysh dëbimin e ambasadorëve sirianë nga disa vende perëndimore, kryetari i Këshillit Papnor të Drejtësisë e Paqes shprehu mendimin se një veprim i tillë nuk e qetëson aspak situatën. Nuk është çast i përshtatshëm për ndërprerjen e lidhjeve diplomatike. Kush kryen punën e ndërmjetësuesit, e di mirë sa rëndësi ka të mbeten gjallë këto lidhje, përndryshe, theksoi kardinali Turkson, si mund t’i përcillet një mesazh i fortë qeverive? Prej këndej, vijoi, mendoj se është më mirë që këto lidhje të mos ndërpriten, për ta inkurajuar, kështu, qeverinë siriane, ta respektojë qëndrimin e bashkësisë ndërkombëtare. Duhet gjetur një rrugë diplomatike për paqen, sepse bombat, në të gjitha luftërat, pa përjashtim, nuk bëjnë dallime ndërmjet ushtarakëve e civilëve: i vrasin të dyja palët.
Simpoziumi, mbajtur në Vatikan, me pjesëmarrjen e pesëdhjetë personaliteteve nga vende të ndryshme të botës, që lidhen në mënyrë të veçantë me procesin e paqes, ndërmjet të cilëve Nigeria, Sri Lanka, Uganda, Somalia, Republika Demokratike e Kongos, Kolumbia, Mianmari, Uganda, Filipinet, radhitet në kuadrin e nismave me rastin e 50-vjetorit të Enciklikës së Gjonit XXIII “Pacem in terris”, që do të kremtohet në vitin 2013.
Qëllimi i takimit, saktësoi kardinali Turkson, ishte shkëmbimi i mendimeve lidhur me metodat që duhen përdorur për t’iu kundërvënë dhunës, për të pajtuar grupet kundërshtare e për të rivendosur paqen, edhe përmes dialogut ndërfetar.
Majkëll Roi, sekretar i përgjithshëm i Caritas Internationalis, nënvizoi rëndësinë e veprimtarisë së përbashkët në nivel ndërkombëtar. Sot, më tepër se në të kaluarën, është e nevojshme, vërejti, që të gjithë forcat e Kishës të punojnë së bashku për promovimin e paqes, e cila nuk duhet të imponohet nga lart, por të lindë nga poshtë.








All the contents on this site are copyrighted ©.