Posa përfunduam muaji maj, gjatë të cilit si besimtarë kemi nderuar figurën e Virgjërës
Mari, e tani kalendari kishtar na shpalos 30 ditët e një muaji tjetër të përkushtuar:
qershorit, muaj tradicionalisht i lidhur me devocionin ndaj Zemrës së Krishtit, devocion
i përhapur në botën mbarë që prej katër shekujsh. Por cila është simbolika
e Zemrës së shenjtë të Krishtit? Devocioni për Zemrën e Krishtit, më tepër se
devocion, është përshpirtëri. Është simbol që na tregon se Zoti është dashuri, se
Zoti – siç ka thënë Gjon Pali II në një nga enciklikat e veta më të bukura – është
i pasur me mëshirë. Ky, në një botë kaq të munduar nga urrejtjet, dhuna e konfliktet,
është mesazh vërtet tejet aktual e jashtëzakonisht ndërtimtar për realitetin e sotëm
shoqëror. Po Kur lindi ky devocion? Shumëkush mendon se devocioni për Zemrën
e Krishtit lindi në gjysmën e dytë të gjashtëqindës në Parei-le Monial, përmes veprimtarisë
së Shën Margeritës Maria Alakok. Dhe është e vërtetë që kjo mistike dha një ndihmesë
themelore për përhapjen e devocionit të Zemrës së Krishtit, së bashku me Shën Klaudin
de La Colombierë. Por edhe para saj, Shën Katerina nga Siena si dhe mistikët fiamingë,
patën folur për Zemrën e Krishtit, provuan përvojën e pranisë së kësaj Zemre Hyjnore
dhe ia përcollën këtë përvojë njerëzimit me fjalë mahnitëse. Kisha katolike na
mëson se rrënja e devocionit të përshpirtërisë së Zemrës së Krishtit është në Ungjillin
e Gjonit, e pikërisht në skenën, në të cilën një ushtar romak, pas kryqëzimit e vdekjes
së Jezusit, kur Krishti ishte akoma në Kryq, e shporoi me heshtë, duke ia çarë kraharorin
e duke hapur kështu një dritare mbi Zemrën e Birit të mishëruar të Hyjit. Ndoshta
fjala nuk është e përshtatshme, por sidoqoftë e vë në pah idenë, kur pyesim se çfarë
përfitimi shpirtëror kemi nga ky devocion? Mund të themi se përfitimi i parë që
kemi është se krijojmë një përfytyrim më të drejtë për Zotin, për Jezusin e për jetën
e krishterë. Të kuptosh se Zoti është dashuri, do të thotë t’i kapërcesh format e
sëmura të druajtjes; themi të sëmura, sepse ka edhe një druajtje shumë të shëndoshë;
pra, të kapërcesh një farë frike, një farë distance që nuk është e përshtatshme, që
Zoti nuk e do nga ne. E kam fjalën për formalizmin, për ndjekjen e praktikave të rëndësishme
fetare, si të ishin një taksë, që duhet paguar, një lejekalimi, për të qenë në rregull
me Zotin. Po kjo nuk është rruga e vërtetë e fesë, nuk është miqësia e vërtetë me
Zotin! Dihet që devocioni i Zemrës së Krishtit është i lidhur ngushtë edhe me
Apostullimin e Uratës. Dhe ka qenë që në fillimet e këtij devocioni, që i fton të
gjithë besimtarët të mblidhen rreth Zemrës Hyjnore.