2012-06-01 19:50:13

Papa në “Teatrin la Scala” për të dëgjuar Simfoninë IX të Beethovenit: Mesazh solidariteti, vëllazërimi, paqeje


Ishte një lexim i shpirtit të kompozitorit dhe i muzikës së tij, në përkim me gjendjen aktuale, fjalimi i Benediktit XVI në përfundim të koncertit në ‘La Scala “ të Milanos.Beethoven, theksoi Ati i Shenjtë, ndonëse ndoqi format e gjuhës tradicionale të Simfonisë klasike, na bën të përceptojmë diçka të re.
Është vegimi universal i njerëzimit, ky që Beethoven vizaton me muzikën e tij: është gëzimi, që buron nga vëllazërimi, nga dashuria reciproke, nën shikimin atëror të Hyjit. Nuk është gëzim i mirëfilltë kristian ky, që këndohet nga Beethoven; gjithsesi, mbetet gëzim, i cili buron nga bashkëjetesa vëllazërore e popujve, nga fitorja mbi egoizmin, nga dëshira që njerëzimi të ecë në rrugën e dashurisë, gati-gati ftesë që u drejtohet të gjithëve, për të shembur çdo pengesë e për të kapëcyer çdo bindje.
Benedikti XVI kujtoi, me dhimbje, se mbi këtë koncert, që duhej të ishte festë gazmore, endej hija e zezë e tërmetit, që u shkaktoi vuajtje të thella shumë prej banorëve të Italisë. Prej këndej fjalët e Himnit të gëzimit, shkruar nga Shiler, tingëlluan si të zbrazta, të pavërteta.
Jemi të paralizuar nga dhimbja për gjithë këtë shkatërrim të pakuptueshëm, që u kushtoi jetën kaq njerëzve, duke i lënë shumë të tjerë pa strehë mbi kokë. Deri hamendja se mbi qiellin plot yje duhet të banojë një Atë i mirë, na duket e diskutueshme. Një Atë i mirë mbi qiellin plot yje? A nuk mund të arrijë mirësia e tij deri tek ne? Ne kërkojmë një Zot, që nuk rri mbi fron, duke na shikuar nga larg, por hyn në jetën tonë, në vuajtjen tonë, kujtoi Papa, e në vijim pohoi: “Në këtë çast jemi në kërkim të një Zoti, që është pranë. Kërkojmë një vëllazërim që, në mes të vuajtjeve, e mbështet tjetrin, e ndihmon të ecë përpara. Pas këtij koncerti, kujtoi Benedikti XVI, shumë do të shkojnë në adhurimin e Eukaristisë, do të shkojnë para një Zoti, që merr pjesë gjithnjë në vuajtjet tona. Një Zoti, që vuan bashkë me ne e për ne, që i mëson njerëzit të vuajnë bashkë, duke e shndërruar vuajtjen, në dashuri. E pikërisht për dashuri na bën thirrje ky koncert.
Zgjedhja e Simfonisë IX të Beethoven na krijoi mundësinë të kumtojmë një mesazh muzikor, që pohon vlerën e solidaritetit, të vëllazërimit e të paqes. E ky mesazh ka vlerë të madhe për familjen, nga që pikërisht në familje provohet për herë të parë se njeriu nuk u krijua për të jetuar i mbyllur brenda vetvetes, por i lidhur me të tjerët; e në familje kuptohet edhe se të realizohesh, nuk do të thotë të vihesh në qendër të vëmendjes, por të jesh gjithnjë në marrëdhënie me të tjerët; në familje nis të ndjehet në zemër drita e paqes, për ta ndriçuar këtë botë.







All the contents on this site are copyrighted ©.