Në Vjenë mbahet Kongresi i Caritas Internationalis kundër urisë në botë.
Çdodymbëdhjetë minuta, një fëmijë vdes nga uria: e kujton këtë presidenti
i Caritas Internationalis, kardinali Oskar Rodriguez Maradiaga, me rastin e kongresit
kushtuar luftës kundër urisë në botë dhe sigurimit të ushqimit, që u hap sot në Vjenë,
për të përfunduar nesër. “Uria nuk është e pashmangëshme, sepse me shkaqe shoqërore,
ekonomike e politike”, pohoi Hirësia e Tij, organizator i nismës. Së bashku me Caritas
Europa, kardinali Maradiaga mblodhi në Vjenë autoritete publike, udhëheqës politikë,
akademikë, gazetarë e përfaqësues të shoqërisë civile, ardhur nga mbarë bota. Për
objektivat e kësaj ngjarjeje të rëndësishme, të dëgjojmë, në mikrofonin tonë, Thorfinnur
Omarson, përfaqësues i Caritas Europa:
Përgjigje:
- Objektivi është të informojmë sa më shumë lidhur me problemin e urisë
në botë. Siç dihet, në botë ka më se një miliard njerëz, që vuajnë nga uria, ndërsa
një e treta e ushqimit shpërdorohet, shkon kot. Ky është fenomen global e edhe problem
global, që duhet përballuar. E është edhe një nga elementet bazë të të gjithë punës
së Karitasit, i cili synon të luftojë kundër urisë me të gjitha mjetet e mundësitë.
Pyetje:
- Flasim shumë për krizën ekonomike, por ndoshta, duke harruar varfërinë...
Përgjigje:
- Po. Këtë e provojmë edhe ne. Në Bruksel, për shembull, organizojmë takime,
diskutojmë për krizën ekonomike e, sidomos, për rrugët në të cilat duhet të ecim,
që të dalim prej saj, për t’i dhënë hov të ri zhvillimit ekonomik e për të zgjidhur
problemet më të mprehta të kohës, që rëndojnë fort mbi jetën e njerëzve. Por e kemi
krejt të qartë edhe se zhvillimi i mundshën ekonomik, nuk do ta zgjidhë menjëherë
problemin e urisë; duhen përballuar çrregullime të tjera e, prej këndej, ne nuk mund
e nuk duhet ta harrojmë këtë problem serioz.
Pyetje: - E ç’mund
të bëhet, a, më mirë të themi, ç’mund të bëni?
Përgjigje: -
Karitasi u bëri, përmes këtij Kongresi, disa kërkesa atyre, që marrin vendime si në
nivel global, ashtu edhe në nivel evropian e kombëtar. Në radhë të parë, ka shumë
rëndësi që të gjithë ta pranojnë se çdo njeri ka të drejtë të hajë. Pra, të njihet
e drejta e ushqimit për të gjithë. Një e drejtë e tillë duhet njohur e respektuar
në nivel global. Është e rëndësishme edhe ndihma, që u duhet dhënë veprimtarive bujqësore
në nivel familjar. Duhet ta shmangim rrezikun e mungesës së ushqimeve për shkak të
ndryshimeve klimaterike, shqetësim i ri ky, çdo vit më i thellë. Kështu, pra, problemet
që duhet të zgjidhim janë të shumta e të ndërlikuara.
Pyetje: -
Ç’ mund të na thoni për shkaqet strukturore të urisë?
Përgjigje: -
Shkaqet janë nga më të ndryshmet. Karitasi mirëpriti adoptimin e vijave udhëheqëse
të Fao-s lidhur me pronat tokësore, në mënyrë që popullsive lokale t’u sigurohen
të drejtat mbi tokën, të mbrohen nga ‘land grabbing”, tashmë i njohur në shumë zona
të botës. E kemi fjalën për shfrytëzimin e tokave të marra me qira. Karitasi kërkon
një strukturë të posaçme, që të përgjigjet për këto probleme, duke ndjekur drejtpërdrejt
protestat, që kanë të bëjnë me vendimet mbi tokën, në mënyrë që, në rast shkeljesh,
t’u rikthehet, sipas ligjit, pronarëve të tyre. Ky është një problem i mprehtë në
shumë vende të botës. E, të mos harrojmë kurrë: toka e ushqimi lidhen në mënyrë të
pandashme.