2012-06-01 10:47:53

Më 1 qershor kalendari kujton shën Justinin, martir.


Më 1 qershor, kalendari kishtar përkujton Shën Justinin, filozof e martir. Shën Justini martir, filozof e kërkues i vërtetës, e gjeti urtinë e vërtet në fenë e Krishtit. Tiparet e krishtera që e binden ta përqafonte Ungjillin e Krishtit qenë qëndresa e patundur gjatë persekutimeve të egra dhe vullneti për t’i shërbyer Zotit e të afërmit.
Justini, bir i Priskut, latin, lindi në një familje pagane në Flavia Neapolis, Sikemi i lashtë, sot Nablus, në Samari. Që i ri nisi të kërkojë plot etje të vërtetën e jetës njerëzore. Një plak misterioz, të cilin e takoi fare rastësisht një ditë, i tha se ajo që kërkonte, gjendej në faqet e Shkrimit Shenjt. Kështu Justini nisi të studionte Fjalën e Zotit e gjeti të vërtetën.
U pagëzua rreth vitit 130 dhe filloi t’ua shpjegonte krishterimin njerëzve të mësuar. Për t’ia arritur këtij qëllimi, themeloi një shkollë filozofike, të cilën mund ta ndiqnin lirisht të gjithë. Hapi një shkollë të tillë edhe në Romë.
Me që këtu filozofi cinik, Kreshenti, përhapte akuzat e zakonshme kundër të krishterëve, Justiniani i drejtoi senatit romak “Apologjinë e dytë” të tij, në të cilën hidhte poshtë akuzat e Kreshentit. Por ky i fundit e paditi, gjë që përfundoi me arrestimin e Shenjtit.
Justini u dënua me vdekje, së bashku me dishepujt e tij, Karitonin, Karitin, Evelpistin, Ieraçin e Liberinin, e u martirizuan të gjithë njëherësh, të cilëve iu prenë kokat nga prefekti Gjunio Rustiko aty nga viti 165, në kohën e Mark Aurelit. Emri Justin është i njohur në shqiptarë si edhe ndërmjet femërave, që thirren Justina, Gjystina e Gjyste.







All the contents on this site are copyrighted ©.