2012-06-01 15:38:29

Filmat shqiptarë shfaqen në Romë


“Shqipëria në kinemanë e vet”: titullohet kështu veprimtaria e organizuar nga Shoqata shqiptaro-italiane “Occhio Blu – Anna Cenerini Bova” në Shtëpinë e Kinemasë në Romë, ku nga data 2 deri më 5 qershor, do të projektohen 8 filma të rëndësishëm shqiptarë, prodhuar ndërmjet viteve 1995 e 2011. Tematikat e trajtuara denoncojnë regjimin komunist të Enver Hoxhës, analizojnë tragjedinë shoqërore të emigracionit, tensionet e brendshme të modernizimit plot kundërshti të vendit e kontribuojnë në zbulimin e mistereve të Atdheut të Shqiponjave, duke hedhur poshtë stereotipet e krijuara për shqiptarët në Itali.
Në tri ditë, duke filluar nga ora 18.30 e së shtunës, në dy salla të Shtëpisë së Kinemasë, do të shfaqen filma si “Parrullat”, filmi i parë shqiptar i përzgjedhur në Festivalin e Cannes, por edhe “Koloneli Bunker” i Kujtim Çashkut e “Honeymoons” i Goran Paskaljeviçit, regjizor i njohur serb, në bashkëpunimin e tij të parë me shqiptarët. U kujtojmë emigrantëve të Romës, që duan të marrin pjesë në këtë veprimtari se Shtëpia e Kinemasë ndodhet në Vilën Borgeze. Informacione më të hollësishme për oraret e filmave dhe përmbajtjen e tyre mund të gjenden në faqen e saj të internetit www.casadelcinema.it.








All the contents on this site are copyrighted ©.