2012-06-01 19:50:39

Drejtori artistik i “Teatrit la Scala”, Lissner: e pritëm me gjithë zemër Papën muzikant.


tëNjë ndër çastet domethënëse të ditës së parë të Papës në Milano, ishte vizita në “Teatrin la Scala”, ku sonte u dha një koncert për nder të Atit të Shenjtë. Ndërmjet vallëtarëve, Eris Nezha, shqiptar, balerin i parë i Teatrit të famshëm. E natyrisht, të pranishëm edhe përfaqësuesit e familjeve shqiptare në Takimin Botëror të Familjeve me Benediktin XVI, shoqëruar nga ipeshkvi i Lezhës, imzot Ottavio Vitale.
Në mikrofonin tonë, drejtori i Teatrit të famshëm milanez, Stéphan Lissner:RealAudioMP3


Përgjigje: - Para së gjithash theksoj që Teatri ishte tejet i nderuar për vizitën e Atit të Shenjtë. E qartë se, në një çast krize e vështirësish të mëdha, kjo ishte ngjarje e jashtëzakonshme, si për teatrin tonë, ashtu edhe për qytetin e Milanos. Them për qytetin e Milanos, sepse dihet nga të gjithë sa e lidhur është ‘La Scala” me qytetin e vet. E përsëris, për ne ishte nder e ngjarje vërtet fantastike, edhe pse i kapërceu kufijtë e Milanos. Përmes televizionit, Koncerti, që pati në program Simfoninë IX të Beethoven, me praninë e Papës, me fjalimin e tij në skenë e me të gjithë atmosferën e pazakontë, u përhap në mbarë botën.

Pyetje: - Benedikti XVI jo vetëm që e ndoqi koncertin, por mbajti edhe një fjalim, pikërisht nga kjo skenë. Ç’mesazh u përhap nga skena juaj aq e famshme, në mbarë botën?

Përgjigje: - Ishte fjalim paqeje, sepse bota mbarë është nën thundrën e dhunës, është e përfshirë nga pështjellimi, nga vështirësitë e jetës së përditshme e nga një varfëri, shpesh e papërballueshme. Mjafton të shikojmë Italinë, ku një numër i madh familjesh përballon vështirësi jo të pakta. Prej këndej, fjalimi i Papës ishte tejet i pritur nga të gjithë, ishte burim shprese. Na kujtoi se ne jemi në kërkim të një Zoti, që nuk është larg, që hyn në jetën tonë, në vuajtjen tonë.

Pyetje: - Njihet nga të gjithë ndjeshmëria e spikatur muzikore e Benediktit XVI...

Përgjigje: - Kjo, natyrisht, vjen nga kombësia e tij gjermane: që prej katër shekujsh, Italia, Franca e Gjermania janë tre vendet më të mëdha për muzikën klasike. Duke qenë Ati i Shenjtë muzikant, ne, që përpiqemi të jemi gjithnjë në lartësinë e duhur në të gjitha shfaqjet tona, këtë herë vumë të gjitha forcat për të arritur suksesin, në një shfaqje, që e ndoqi gjithë bota.

Pyetje: - Si e zgjodhët programin e mbrëmjes muzikore kushtuar Papës...

Përgjigje: - Ishin dy mundësi: mund të merrnim tri-katër pjesë të ndryshme të muzikës italiane, për të bërë programin, ose mund të zgjidhnim Simfoninë IX të Beethovenit, Himin e Gëzimit, në këtë rast. Zgjodhëm këtë të dytin, së bashku me drejtorin tonë muzikor, Daniel Barenboim; e ishte një çast i jashtëzakonshëm, me dy artistë të famshëm italianë, Barbara Fritoli e Daneila Barcelona si dhe me artistët e tjerë të shquar, John Bothya e René Pape.
Koncerti zgjati më shumë se e kishim menduar, por na u duk e arsyeshme kjo zgjatje, në një sallë përplot me familjet e mbarë botës, që ndoqën me emocion shpërthimin e tingujve të Himnit të Gëzimit. Pastaj e zgjodhëm këtë pjesë duke pasur parasysh se koncerti jepej për nder të Papës gjerman e muzikant. Prej këndej zgjodhëm Beethovenin, gjerman vërtet, po edhe burim mesazhesh universale, siç e kërkonte ky rast, vërtet universal.







All the contents on this site are copyrighted ©.