2012-05-31 16:22:38

Takimi Botëror i Familjeve: ekonomia të jetë në shërbim të familjeve. Nesër, Papa në Milano


Puna e pasigurtë është kërcënim për familjen, e cila nuk mund të ketë dinjitet pa burimin kryesor, që i jep mundësinë të jetojë. Ky është thelbi i fjalës, që mbajti sot, në Takimin Botëror të Familjeve në Milano, kardinali Dionigji Tetamanci. Dita e dytë e Kongresit ndërkombëtar, që po mbahet në qytetin italian, në pritje të Papës Benedikti XVI, i cili nesër do të përqafojë familjet e pranishme në Takim.
Cilat janë marrëdhëniet ndërmjet familjes e punës, në perspektivën e fesë? Kësaj pyetjeje iu përgjigj kardinali Tetamanzi para përfaqësuesve të pesë kontinenteve, duke u mbështetur në Shkrimin e Shenjtë e në doktrinën shoqërore të Kishës:
“Dashuria e puna, së bashku me festën, janë vërtet elemente thelbësore të jetës familjare. Pa këto realitete nuk do të kishte as humanitet, as familje, as jetë, as zhvillim i një bote të re, që mund të bëhet gjithnjë e më e njerëzishme e mund të përmirësohet nga dashuria e nga ‘dominimi” i njeriut”.
Kardinali Tetamanzi foli për marrëdhëniet ndërmjet punës e pushimit javor. Përmendi Shkrimin e Shenjtë, ku pushimi i së shtunës është shenjë e çlirimit të njeriut nga ajo lloj pune, që kuptohet si skllavëri, si shtypje, si shfrytëzim:
“Vërtet, koha e punës, ndan e përçan në mënyrë të pashmangshme, por kur pushojmë dhe festojmë, pabarazitë shoqërore sheshohen: familjarizohemi me të tjerët, bashkëndajmë, komunikojmë… Po, kemi nevojë – e sot, edhe më shumë se dje – për një kohë feste të jetuar nga e gjithë familja, sepse ajo është e rëndësishme, është e dosmosdoshme, si në profilin shoqëror, ashtu edhe në atë edukativ”.







All the contents on this site are copyrighted ©.