Një mendim për Zojën e Bekuar, në muajin maj: Citime nga Maria, në festën e Pasisë
së Zojës
Duke shfletuar Ungjijtë sinoptikë, ndalemi sot tek fjalët e Marisë. Janë të pakta,
sepse Zoja ishte fjalëpaktë, por tashmë të kthyera në fjalë të arta, që kujtohen shpesh
e në situata të ndryshme. Kujtojmë së pari fjalët që i tha Maria Engjëllit: “Si
është e mundur? Unë nuk njoh burrë!”. E përgjigjen që i dha kumtit të madh të Shëlbimit:
“Ja, unë jam shërbëtorja e TënZot, u bëftë mbi mua si është fjala jote!”. E në
dasmën e Kanës, porosia që vijon t’i drejtohet në shekuj njerëzimit të vuajtur. U
tha nëna e tij shërbëtorëve: “Bëni gjithçka t’ju thotë ai!”. (Gjn 2, 1-12) Vjen
pastaj skena e kërkimit të Jezusit, ende fëmijë dhe e gjetjes së tij në tempull. Zoja
e Jozefi, na rrëfen Ungjilli, porsa e panë, mbetën pa mend. E nëna e tij i tha: “Bir,
ç’na bëre kështu? Shih: babai yt e unë, me ankth në zemër, të kemi kërkuar gjithkund!”. Por
ndërmjet këtyre fjalëve të pakta, gjithsesi proverbiale, të Zojës, kumbon në shekuj
“Magnificat”- “Zemra ime madhëron Zotin”, sintezë e vërtetë e gjithë historisë
së njerëzimit:
Në atë kohë Maria tha: “Zemra ime madhëron Zotin
e shpirti im galdon në Hyun, Shëlbuesin tim, pse sytë i priri
mbi përvujtëri të shërbëtores së vet. Sot e mbrapa të gjitha breznitë do
të më thërrasin të lume. Punë të mëdha kreu i Gjithëpushtetshmi në mua, e
emri i tij është i Shenjtë: prej breznie në brezní mëshira e tij shtrihet
mbi ata që ia kanë frikën. Shfaqi fuqinë e krahut të vet, i
humbi madhështorët në dëshira të zemrave të tyre; përmbysi të pushtetshmit
nga fronet lartoi t’përvuajturit. Me të mira përplot i mbushi
të uriturit, duar thatë të pasurit i nisi. Izraelit, shërbëtorit
të tij, i doli zot duke pasur parasysh mëshirën e vet, ashtu
si u pat premtuar etërve tanë, Abrahamit e pasardhësve të tij, për
jetë të jetës. (LK. 1, 46-55)
Magnificat na
kujton versetet e fundit të Psalmit: prej 1 Sam. 2, 1. 4-8 Zemra ime galdon
në Zotin e ballëhapur rri për hir të Hyjit tim. Kundra armiqve
të mi goja më çelet, shpëtimin gëzoj, o Zot, që më vjen nga ti. Zoti ka në dorë vdekje e jetë. Ai të zbret nën dhe e në qiell
të ngre përpjetë! Zoti të bën të varfër e të pasuron. Është ai
që ulë e ai që larton!