2012-05-30 19:17:00

Virgjëra Mari, sipas traditës së krishterë ndër shqiptarë


Shën Maria Virgjër ka qenë gjithnjë tejet e nderuar ndër shqiptarë. Kulti i Zojës së Bekuar në trojet shqiptare mori hov njëherësh me kultin marian në Evropën perëndimore, në kulmin e mesjetës. Prej 275 kishave, të regjistruara nga jezuiti Atë Fulvio Kordinjano S.J., 42 i kushtoheshin Shën Mërisë. Kishë Zoje kishte në Ulqin, Shurdhah, Dejë, Drisht, Naraç, Hajmel e Rrenc (Shkoder); Fishtë, Troshan, Kalivaç e Lezhë (Lezhë); Mërtur (Pukë); Surroj (Kukës); Shpërdhazë, Malaj, Ndërshena, Ndërfana (Mirditë); Lurë, Çidhna (Dibër); Gur i Bardhë (Mat); Sebaste, Mbret (Laç); Kurcaj(Krujë); Kepi i Rodonit apo Bishti i Muzhlit (Durrës); Brar (Tiranë-shek XII), Skuterrë, Pëllumbas, Buçimas, Linzë (Tiranë) dhe Bishqem (Peqin).
Këtyre tempujve katolikë, kushtuar Zojës së Bekuar në trojet e Shqipërisë së sotme, i shtohet edhe një numër i madh kishash dhe manastiresh ortodokse, të përhapura në të gjithë vendin. Ndërmjet tyre, Labova e Kryqit, në Gjirokastër (shek X); Manastiri i famshëm i Ardenicës në Apolloni (Lushnje) (shek. XIII); Kisha e Zojës në Voskopojë (shek XVIII); Manastiri i Shën Marenës në Mokër të Pogradecit, me shpellën e mrekullueshme, që i ngjet asaj të Lurdës (shek XVIII) e disa kisha të tjera, njëlloj të lashta. Mos të harrojmë, shenjtërorja kombëtare e shqiptarëve, ajo që ngrihet rrëzë Kështjellës Rozafa, i kushtohet Zojës së Këshillit të Mirë; ndërsa një shenjtërore tjetër, njëlloj e famshme, është Kisha e Zojës së Crnagorës, në Letnicë të Vitisë së Kosovës, një tjetër Kishës nderimit të Zojës së Madhe të Hasit është fshatin Zym të Prizrenit, një tjetër e madhe dhe Kishë e bukur e Zojës Rruzare është në fshatin Bishtazhin të Gjakovës, një tjetër e Zojës së Këshillit të Mirë në Klinë, në fshatin Bec të Gjakovës është Kisha e Zojës së Vogël e tjera e tjera.
Ndërmjet shumë festave kushtuar Zojës së Bekuar, ajo që i bashkonte gjithë të krishterët shqiptarë në rrjedhë shekujsh ishte, pa dyshim, Festa më e madhe e fundit të verës, të Ngjiturit e Zojës së Bekuar në qiell (për të krishterët), Fjetja e Shën Mërisë (për ortodoksët), që kremtohej e kremtohet më 15 gusht. Prej këndej, ndër shqiptarë festa njihet edhe si Shën Mëria e Verës, Shën Mëria e Gushtit ose Shën Mëria e Madhe, në sa, më 4 dhjetor, festohet edhe Shën Maria e Dimrit.
Kalendari Julian e shënonte më 27 gusht, ai Gregorian, më 15. Ishte e mbetet festa e shtegtimeve në gjirin e natyrës. Sipas traditës, besimtarët e kremtonin me shtegtime të gjata, ngjiteshin në majat e bjeshkëve, ku dikur ngriheshin tempujt e paganizmit, kthyer në tempuj të krishterë, duke nisur nga Mali i Tomorrit; Mali i Gjallicës, pranë Kukësit; Maja e Shën Llezhdrit, afër Krujës; Maja e Kundrevicës, në Kurvelesh dhe ajo e Pashtrikut, në kufirin Shqipëri-Kosovë. Ja si i e përshkruan imzot Pjetër Bogdani kremtimin në Pashtrik, rreth viteve 1630-1689, duke theksuar edhe natyrën meditative të festës e të shtegtimeve, që kremtoheshin me këtë rast në kulmin e verës:

“Ngjiten në maje dhe e kalojnë atje gjithë natën, me uratë, kangë e valle të përshpirtshme. Mbas mesnate nis proçesioni, në të cilin marrin pjesë të krishtênë e myslimanë, me qira të ndezun. Gjatësia e qirit përkon me moshën e atij, që e mban në dorë. Kështu, me qira ndezë, zdathë, shtegtarët ecin kah majet ma të nalta për tri orë rresht. Vetëm myslimanët ngjiten kaluer...”.

Në Shqipërinë e Mesme, gratë që nuk kishin fëmijë, shtegtonin kah bregdeti i Kavajës e i Durrësit. Laheshin në det e luteshin. Ky shtegtim, që bënin gratë, me shpresën se Nëna e Krishtit do të ndërmjetësonte për to e do t’u falte dhantinë e foshnjave, aq të dëshiruara, vijoi fshehurazi edhe në kohën e persekutimit të madh nën thundrën e diktaturës.
Në Seltë, krahinë e Shpatit, në Shqipërinë e Mesme, për festën e Shën Mërisë së gushtit flijohej një lopë.
Këto e zakone të tjera, të shoqëruara me Meshë solemne, procesione, meditime e lutje në gjirin e natyrës, mbeten të gjalla edhe sot e kësaj dite në të gjithë botën e krishterë. Prandaj në kulmin e gushtit, kur vera përgatitet t’i lëshojë shtegun vjeshtës, qytetet e mëdha të botës perëndimore zbrazen e njerëzit dynden kah viset më të njohura për bukuri natyre: bregdetet, bjeshkët e vendet ku ngrihen tempuj të famshëm për kryevepra arti, ku pa dyshim, do të takohen edhe me Shën Mërinë!







All the contents on this site are copyrighted ©.