2012-05-30 13:58:45

Një mendim për Zojën e Bekuar, në muajin maj: Arti marian në perëndim


Arti i krishterë pati një zhvillim të vrullshëm duke nisur nga Mesjeta, kryesisht në Lindje.
Perëndimi e ndoqi këtë rrugë më vonë, por ndryshe nga Lindja, ku ikona vijoi të zërë kryet e vendit, krijoi një art të ri, të ndikuar nga kushtet e reja historike, nga kultura e mendësia e re.
Gjurmët e para të artit të krishterë perëndimor i gjemë në katakombet romake, ku të krishterët fshiheshin, për të shpëtuar nga persekutimet. Aty nisën t’i zbukuronin muret me afreske, të frymëzuara nga skenat biblike.
Nga ana tjetër, në perëndim u dukën objekte të ndryshme me vlerë, ardhur nga Lindja. Shtegtarët, që ktheheshin nga Toka e Shenjtë, sillnin shpesh me vete shishe e poçe, të zbukuruara me piktura, mbushur me ujin e Jeruzalemit, pllaka qelibari, punuar me art e vepra të tjera artistike. Pastaj, aty nga shekulli XIII, në Perëndim arritën edhe ikonat.
Arti romak i krishterë merr hov së pari në arkitekturë, me ndërtimin e manastireve e kishave, në të cilat u dukën menjëherë edhe miniatura e basorelieve kushtuar Marisë. Ruhen edhe sot e kësaj dite këto vepra pioniere arti në bazilikën e Pompozës, në katedralen e Vézeleit, në atë të Marmutje, në Francë, ose në bazilikën e Shën Ambrozit, në Milano. E janë margaritarë të vërtetë arti.
Në këtë epokë krijohen shtatore të famshme kushtuar Marisë, si Virgjëra e Rokamadur e ajo e Pyi-an-Velai, si dhe Zojat zeshkane, zanafilla e të cilave, pak e njohur, është shumë e lashtë.
Në shekullin XII duket arti marian gotik në skulpturë. Krijohen kryevepra, si Zoja me Foshnjën në Shën Marinë e Parisit, e, sidomos, një sërë shtatoresh të Zojës në kishat gotike gjermane, ku nisi të lulëzojë edhe arti i vetratave, që u përhap me shpejtësi në të gjitha kishat e krishtera.
Rilindja, që solli një kthesë të vërtetë në artet perëndimore, ndikoi fuqimisht edhe mbi artin e krishterë kushtuar Marisë. Figura e Zojës u bë më njerëzore, më pranë bukurisë shekullare. Në se Fra Angjeliko, kur pikturonte Marinë, i kushtonte më shumë vëmendje pasqyrimit të shpirtit të Saj, Filipo Lipi nisi të theksojë më shumë bukurinë fizike. Prej këndej, Zojat e pikturuara prej tij i ngjasin më shumë princeshave të Rilindjes.
Në katërqinden italiane vërehet prirja për t’iu kundërvënë teprimeve humaniste: është epoka e kundëreformës (gjysma e shek XVI) dhe e artit barok. Zoja e bekuar shikohet më shumë si Mbretërshë qiellore, Grua e pushtetshme, ndërmjet Qiellit e Tokës, madhështore, e vendosur mbi piedestale ose mbi shtylla, si në Mynih të Bavarisë e, më vonë, në Sheshin e Spanjës, në Romë.
Në shekullin XX vërehen stile nga më të ndryshmet, që çojnë në përsosurinë e linjës. Ndërmjet tyre, shquhet stili sulpicien, devocional, i lindur në Shën Sulpic të Parisit.
Me lindjen e ekspresionimit (pas impresionizmit) arti i shekullit XX bëhet më subjektiv. Artisti synon të pasqyrojë vetveten në veprat e veta, me frymëzim më të zbehtë fetar e më të theksuar shekullar. Por, megjithatë, shumë artistë vijojnë ta pikturojnë, ta skalisin ose ta paraqesin në vetrata Marinë, secili sipas stilit të vet, duke nisur nga Pikasò e Moris Dënis, për të arritur tek Shagal e shumë mjeshtra të tjerë të arteve, krijimet e reja të të cilëve vijonë të duken aty-këtu nëpër botë, në muzeume, kisha e banesa, për të treguar se derisa të vijojë historia e artit, në të do ta gjejmë patjetër edhe figurën e Marisë.
Në Shqipëri, ku ikonoklastia vijoi deri vonë, mund të flitet më shumë për shkatërrime, sesa për realizime veprash arti me ndikim perëndimor, kushtuar Marisë. Gjithsesi Maria e ka gjetur një mjeshtër shqiptar, Lin Delinë, që la pas disa kryevepra mariane, në të cilat Zoja e Bekuar është gjithnjë e veshur me kostum kombëtar shqiptar.







All the contents on this site are copyrighted ©.